25 miliardë apo 1 trilion dollarë, sa i ka kushtuar SHBA-së lufta me Iranin?

Përplasje në Kongres mes Pentagonit, ligjvënësve dhe ekonomistëve për faturën reale të konfliktit

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, u përball me ligjvënësit amerikanë mbi koston e luftës me Iranin në paraqitjen e tij të parë në Capitol Hill që nga shpërthimi i konfliktit, i cili tashmë ka hyrë në muajin e tretë.

Gjatë një seance dëgjimore në Komitetin e Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve, Pentagoni deklaroi se Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar rreth 25 miliardë dollarë për luftën, kryesisht për municione dhe mirëmbajtje të pajisjeve ushtarake.

Megjithatë, drejtues demokratë dhe disa ekonomistë e konsiderojnë këtë shifër si një nënvlerësim të ndjeshëm. Sipas tyre, kostoja reale për ekonominë amerikane dhe për 330 milionë qytetarët e vendit mund të arrijë nga 630 miliardë deri në 1 trilion dollarë.

Gjatë seancës, Hegseth reagoi ndaj kritikëve në Kongres, duke i cilësuar qëndrimet e disa demokratëve dhe republikanëve si pengesë në përballjen me sfidat aktuale. Komentet e tij erdhën në një moment kur administrata përballet me presion në rritje për mungesë transparence mbi shpenzimet e luftës.

Kontrollori në detyrë i Pentagonit, Jay Hurst, i cili dëshmoi së bashku me Hegseth dhe kryetarin e Shefave të Përbashkët të Shtabit, Dan Caine, deklaroi se shifra prej 25 miliardë dollarësh përfaqëson vetëm kostot direkte të luftës. Ai shtoi se një kërkesë shtesë për financim do t’i paraqitet Kongresit pasi të përfundojë një vlerësim i plotë i kostove.

Sipas Hurst, llogaritja aktuale përfshin kryesisht kostot e municioneve të përdorura dhe shpenzime të tjera operative. Në mars, zyrtarë të Pentagonit kishin informuar Kongresin se lufta kishte kushtuar 11.3 miliardë dollarë vetëm në gjashtë ditët e para, ndërsa kjo shifër mbetet dukshëm më e ulët se kërkesa fillestare prej 200 miliardë dollarësh e administratës për financimin e konfliktit.

Nga ana tjetër, ligjvënësit demokratë kundërshtuan vlerësimin zyrtar. Përfaqësuesi Ro Khanna deklaroi se kostoja reale është shumë më e lartë, duke theksuar ndikimin e luftës në rritjen e çmimeve të karburantit dhe ushqimeve në SHBA.

Në kushtet kur SHBA vazhdon bllokadën ndaj porteve iraniane dhe Irani kontrollon Ngushticën e Hormuzit, çmimet e karburantit në SHBA kanë arritur në 4.23 dollarë për gallon, niveli më i lartë që nga viti 2022. Nafta Brent është tregtuar mbi 120 dollarë për fuçi, ndërsa rritja prej rreth 40 për qind e çmimeve të karburantit krahasuar me periudhën para luftës ka ndikuar drejtpërdrejt te konsumatorët.

Sipas një sondazhi Reuters/Ipsos, vetëm 22 për qind e amerikanëve miratojnë mënyrën se si administrata po menaxhon koston e jetesës. Khanna vlerësoi se lufta mund t’i kushtojë ekonomisë amerikane rreth 631 miliardë dollarë, ose rreth 5,000 dollarë për familje.

Ndërkohë, ekonomistja e Harvardit, Linda Bilmes, ka parashikuar se kostoja totale e luftës mund të arrijë deri në 1 trilion dollarë. Ajo thekson se shpenzimet e luftës zakonisht tejkalojnë parashikimet fillestare dhe janë të vështira për t’u matur me saktësi në fazat e hershme.

Përtej kostove të drejtpërdrejta, konflikti ka pasoja të gjera ekonomike dhe ushtarake. Shtetet e Bashkuara kanë goditur mbi 13,000 objektiva gjatë 39 ditëve të para të luftës, ndërsa përdorimi intensiv i sistemeve mbrojtëse, si raketat Patriot, ka rritur ndjeshëm shpenzimet. Çdo raketë Patriot kushton rreth 4 milionë dollarë, ndërkohë që shpesh përdoret për të rrëzuar dronë me kosto shumë më të ulët.

Një tjetër element i rëndësishëm janë kostot e rindërtimit dhe riparimit të dëmeve. Sulmet iraniane kanë shkaktuar dëme në baza ushtarake amerikane në Kuvajt, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite dhe Jordani. Raportime mediatike sugjerojnë se dëmet mund të jenë më të mëdha se sa është bërë publike, ndërsa vetëm riparimet mund të kushtojnë miliarda dollarë.

Një raport i Neë York Times vlerëson se vetëm riparimi i selisë së Flotës së Pestë të Marinës amerikane në Bahrein mund të kushtojë rreth 200 milionë dollarë. Megjithatë, Pentagoni pranon se ende nuk ka një vlerësim përfundimtar për dëmet në instalimet ushtarake jashtë vendit.

Ekspertët theksojnë se kostot e luftës nuk kufizohen vetëm te operacionet ushtarake. Shpenzimet afatgjata përfshijnë kujdesin për veteranët, rindërtimin e rezervave ushtarake dhe ndikimet ekonomike që vazhdojnë edhe pas përfundimit të konfliktit.

Duke iu referuar përvojave të mëparshme, si lufta në Irak, ekonomistët paralajmërojnë se kostoja përfundimtare mund të jetë shumë më e lartë se vlerësimet aktuale. Në këtë kontekst, debati mbi faturën reale të luftës me Iranin pritet të mbetet një çështje qendrore në politikën amerikane, ndërsa administrata ka kërkuar një buxhet mbrojtjeje prej 1.5 trilion dollarësh për vitin e ardhshëm./Përshtatur nga “Al Jazeera”

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo