VETERANËT E DOVLETIT DHE TË LUFTËS SË MADHE

Shkruan: Merxhan Jakupi
Ish veteranët e Dovletit, herët në mëngjes, pasi falnin namazin, shpesh ktheheshin te kafeneja e Lutës, e vetmja kafene në katund, për të pirë kafe dhe çaj mali. Vinin dhe disa ish ballistë dhe ish zyrtarë të krajlit. Në periudhën e Mbretërisë Jugosllave, deri në pranverë të vitit 1941, imami, ofiqari, xhandari dhe postieri kishin marrë rroga të majme nga qeveria e Nikolla Pashiqit. Po ashtu, korrieri dhe dy ish oficerë kishin marrë të ardhura nga qeveria e mbretit Zog.
Një ish partizan, duke u tallur thoshte se këta të krajlit dhe të mbretit u janë shterë sytë. Para luftës së madhe, jetonin si mizat në mjaltë. Hanin me lugë të argjendt. Eh, tash të shkretët janë bërë si lypsarë.
Tek kafeneja e Lutës, ish veteranët e Dovletit së bashku me ata të krajlit dhe të mbretit Zog, rrinin bashkë. Ata shpesh bisedonin mes vete, ndërkohë që në radio stacione të huaja thuhej se do kthehej krajli dhe mbreti.
Tek oda e Hasan Çajanit dëgjonin lajmet nga një transistor, që ai e kishte sjellë nga Vllahia. Ata thonin që Inglizi me Frengun do t’i rrëzojnë komunistët dhe do të sjellin krajlin dhe mbretin në fron. Ish partizanët, veteranë të Luftës Nacionalçlirimtare, vinin më vonë tek kafenja e Lutës. Ata çdo herë uleshin në pjesën e murit, ku ishin vendosur portretet e dy prijësve komunistë, Marshall Titos dhe Enver Hoxhës. Me kalimin e kohës, urrejtja dhe hasmëria gjithmonë shtohej mes tyre.
Një veteran i Luftës së Madhe ishte nxehur në kokë nga rakia. Ai filloi t’i fyej veteranët e osmanëve, ata të Ballit Kombëtar dhe të krajlit. Ai po çirrej duke iu thënë :“Anadollakë, turkoshakë, koha juaj ka perënduar”. Ndërkohë, njëri nga ish ballistët u ngrit për t’u përballur, por e ndali Lluta.
Veteranët e Luftës së Madhe, një natë duke pirë raki, kishin filluar të këndonin këngë për dy prijësit e dashur të tyre:
“MARSHALL TITO E ENVER HOXHA,
JANË SI LISI ME DY DEGË,
JANË SI SHPATA ME DY TEHË,
JANË SI FLIA PREJ NJË BRUMI!”
“RROFTË VËLLAZËRIM-BASHKIMI, VDEKJE E STALINIT, POSHTË ENVER HOXHA”
Tek Çukthi i katundit, mu në mes, ishte varri i dervishit, Hajdar Baba. Një veteran i Dovletit me gradën “Bash Çaush” i tha imamit dhe disa veteranëve se kur vinin qatipët për të rekrutuar asqerë dhe jeniçerë për Dovletin, ne ua shanim sulltanin e Kalifatin. “Kur krajli serb rekrutonte djemtë tanë, nuk guxonin të rebeloheshin, të dilnin kaçakë si në kohën e Dovletit. Eh, tash komunistët i rekrutojnë dhe na i marrin djemtë tanë me duar në pranga”, rrëfente veterani.
Tek Sokaku i Lurëve postieri ndante postën. Një plak i tha postierit: mos ka ndonjë letër nga ushtarët? Nga ky katund kishin mbetur të vrarë disa djem në frontin e Sremit dhe në Tivar. Një pjesë e të rinjve, pasi ishin kthyer nga lufta, i kishin rekrutuar në ushtrinë e Titos. Postieri ndau disa letra të ushtarëve që kishin dërguar familjeve të tyre. Nga çanta, ai nxori edhe gazetën “Politika” në gjuhën serbokroate. Kjo gazetë e krajlit, kishte thënë imami i katundit, ishte shndërruar në organ të partisë të shtetit të ri, që i thonin Jugosllavia e Titos.
Shumica e veteranëve të Luftës së Madhe e dinin rrjedhshëm gjuhën serbokroate. Shumica e tyre, në periudhën e krajlit, si nxënës, kishin mësuar në shkollë te daskalli serb. Gazetën e mori së pari një veteran hijerëndë. Në gjoks kishte të varur një medalje yll të kuq dhe portretin e prijësit të dashur,Titos. Ishte plagosur dy herë dhe nga trupi i kishin nxjerrë 12 plumba. Thonin se akoma i kishte plagët e njoma.
Në faqen e parë ishte shkruar titulli: “Rozuluta e Informbyrosë, me në krye shoku Tito, kanë dëbuar diplomatët sovjetikë të akredituar në Beograd”. Veterani vazhdonte ta lexonte me zë edhe më tej artikullin. Në disa citate, shoku Tito theksonte për Stalinin: “Ky komunist fetishist dhe bastard, tradhtoi idealet e shenjta të marksizëm-leninizmit”. Tito më tej e akuzonte mentorin e tij Stalinin: “Ky Car i kuq ishte shndërruar varrëmihës “voraxhi” i revolucionit”.
Në fund të kapitullit 2 ishte një maksimë: “Rroftë shoku Tito. Vdekje e Stalinit”.
“Është absurd dhe e paimagjinuar,” tha një veteran. Njëri nga turma, me buzëqeshje, shtoi: “E çka do të bëhet me vëllain e tretë?” E kishte fjalën për Enver Hoxhën. Pas tij u dëgjua një zë i thatë dhe i hollë: “Shoku Enver është betuar se nuk do ta tradhtojë kurrë në jetë shokun Tito”.
Shumica nuk i besonin gazetës. “Është absurd dhe e paimagjinueshme”, tha përsëri një veteran. Të nesërmen, nga qyteti kishin ardhur në katund sekretari i komitetit me dy zyrtarë dhe dy policë. Postieri kishte lajmëruar se pas dite, tek shkolla do të mbahej konferencë. Në hyrje të korridorit të shkollës ishin hequr fotot e varura të Stalinit dhe Enver Hoxhës. Kishte mbetur vetëm fotoja e Leninit dhe ajo e Josip Broz Titos.
Mbledhjen e hapi prefekti i katundit, veteran i Luftës së Madhe, që kishte fituar gradën kapiten. “Një minutë heshtje për heronjtë e rënë në luftën e lavdishme çlirimtare”, tha ai.
Ndërkohë, fjalën e mori sekretari i komitetit krahinor.
“Të nderuar shokë komunistë, ish partizanë dhe veteranë të Luftës së Madhe. Shoku Tito dhe partia jonë komuniste kanë zgjedhur të jenë vet zot të vatanit. Ekonomia politike e Stalinit e varfëroi deri në palcë qytetarin dhe juve fshatarëve. Ua konfiskuan pronat, tokën, bagëtitë. Prej sot e tutje, toka, bagëtitë dhe pronat do t’u kthehen fshatarëve. Gjyshet, nënat, motrat dhe gratë tuaja do të jenë të lira të vënë shamitë, xharet dhe velot, përveç perçes ose burkave. Muret e oborreve që i shembën më parë mund t’i ndërtoni dhe t’i ngrini deri në qiell”, tha sekretari.
Shumica e fshatarëve ishin të ngazëllyer dhe të entuziazmuar, përveç disa veteranëve dogmatikë dhe ekstremë.
Pasi mbaroi së foluri sekretari, një zyrtar filloi me disa citate të prijësit. Doli duke ngritur grushtin përpjetë: “Rroftë vëllazërim-bashkimi! Rroftë shoku Tito! Vdekje e Stalinit! Poshtë Enver Hoxha!”. Në sallë kaploi qetësia. Disa dukeshin të zbehur në fytyrë. Shumica nuk besonin dhe nuk dinin se në Rezolutën e Informbyrosë Tito ishte ndarë nga Stalini. Nga një katund fqinj, herët në mëngjes, duke kaluar rrugës, kishin parë tre burra me pranga në dorë. Ankthi dhe frika u kishte hyrë në palcë fshatarëve.
Në dalje të katundit, te ura me dy harqe, në njërin hark ishte shkruar me bojë të kuqe: “Vdekje e krajlit dhe e mbretit Zog.” Në harkun tjetër ishte shkruar: “Rroftë shoku Tito dhe Enver Hoxha, sa malet e Sharrit.”
Sekretari mori një leckë që një veteran e mbante në dorë, një enë me ngjyrë të zezë katrani, dhe filloi t’i mbulonte germat ku shkruhej “Rroftë Enver Hoxha”. Sekretari mori një furçë dhe filloi të shkruajë slloganin: “poshtë Enver Hoxha, vdekje e Stalinit”.
Prefekti kishte përcjellë lajmet e Radio Beogradit dhe stacioneve tjera. Tito kishte dërguar një letër përmes ambasadorit jugosllav të akredituar në Tiranë. Tito, në letër, i kishte sugjeruar pinjollit të tij, Enver Hoxhës, të veprojë në të njëjtën mënyrë, të shkëputet nga Stalini. Tito në fund kishte thënë se do të qëndronte pas, sikur në Luftën e Dytë Botërore.
Prefekti i kuptoi divergjencat, slloganet “vdekje” dhe “poshtë”. Mendonte se “poshtë” dhe “lart”, dy prijësit në të ardhmen do të vazhdonin t’i ulnin tensionet, pasi gjysma e kombit shqiptar ishte nën Jugosllavinë e Titos. Ndërsa sllogani “Vdekje e Stalinit”, mendoi prefekti, ishte i qëlluar. Ariu siberian ishte larg Ballkanit.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo