Kina dhe Kamboxhia arrijnë gjashtë mendime unanime në dialogun e parë strategjik ‘2+2’

Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi u shpreh të enjten në një konferencë shtypi që Kina dhe Kamboxhia arritën gjashtë mendime unanime në takimin e parë midis ministrave të Jashtëm dhe ministrave të Mbrojtjes të të dyja vendeve në kuadër të mekanizmit të dialogut strategjik “2+2”.

Dialogu i parë strategjik “2+2”, që u mbajt të mërkurën në kryeqytetin e Kamboxhias Pnom Pen, synon të forcojë bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat.

Wang Yi tha se të dyja palët ranë dakord për forcimin e mbështetjes së ndërsjellë dhe mbrojtjen e interesave thelbësorë të njëra-tjetrës. Kina e mirëpret ritheksimin nga Kamboxhia lidhur me zbatimin e vendosur të parimit të “një Kine”, mbështetjen për përpjekjet e ribashkimit të Kinës dhe përkrahjen e nismave globale të propozuara nga Kina.

Të dyja vendet ranë dakord gjithashtu të thellojnë bashkëpunimin me përfitime të përbashkëta, duke e vënë theksin në ndihmën ndaj Kamboxhias për rritjen e aftësisë për zhvillim e pavarur. Fushat me përparësi të bashkëpunimit përfshijnë Korridorin e Zhvillimit Industrial, Korridorin e Peshkut dhe Orizit, si edhe Kanalin Funan Techo.

Për sa i përket bashkëpunimit politik dhe në fushën e sigurisë, të dyja palët ranë dakord të forcojnë koordinimin për të mbrojtur sigurinë e sistemeve të tyre politike, duke kundërshtuar ndërhyrjet e jashtme, si “revolucioni me ngjyra” etj.

Në fushën e zbatimit të ligjit, të dyja vendet do të forcojnë bashkëpunimin për të luftuar kundër lojërave të fatit në internet dhe mashtrimeve të telekomunikacionit, duke mbrojtur më mirë jetën e pasurinë e njerëzve dhe duke krijuar një mjedis më të qëndrueshëm.

Lidhur me mbrojtjen, të dyja palët ranë dakord për thellimin e marrëdhënieve ushtarake. Kina do ta mbështetë Kamboxhian të përshpejtojë forcimin e aftësisë së mbrojtjes kombëtare, për të mbrojtur më mirë sovranitetin, sigurinë e interesat e zhvillimit të saj.

Në fund, dy palët u zotuan të forcojnë bashkërendimin në çështjet ndërkombëtare e rajonale, të kundërshtojnë hegjemonizmin dhe politikën e forcës, të mbështetin tregtinë e lirë dhe të ruajnë rolin e OKB-së.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo