Java Evropiane e Imunizimit – mbrojmë brezat, vaksinat funksionojnë

Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe UNICEF, po shënon Javën Evropiane të Imunizimit. Me këtë rast, në të gjitha qendrat shëndetësore dhe pikat e vaksinimit në të gjithë vendin po realizohen aktivitete për të theksuar rëndësinë e imunizimit.
Gjatë kësaj jave, në qendrat shëndetësore janë mbajtur ligjërata mbi rëndësinë e imunizimit, si dhe është zhvilluar vaksinim në terren për fëmijët që kanë humbur dozat e rregullta.

Aksioni do të vazhdojë edhe në dy javët në vijim, gjatë të cilave do të intensifikohet imunizimi i të gjithë fëmijëve që kanë humbur vaksinat nga kalendari i rregullt i imunizimit.

Kjo fushatë vë theksin te përfitimet e vaksinimit gjatë gjithë jetës. Nga mosha më e hershme deri në moshën e rritur, vaksinat sigurojnë mbrojtje ndaj shumë sëmundjeve serioze dhe kontribuojnë në një shëndet dhe mirëqenie më të mirë gjatë gjithë jetës.

Java Evropiane e Imunizimit është vendosur në 53 vende të rajonit evropian të OBSH-së që nga viti 2007, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë që çdo fëmijë të jetë i mbrojtur nga sëmundjet që mund të parandalohen me vaksinim.

Falë vaksinimit, janë shpëtuar miliona jetë, ndërsa në 50 vitet e fundit ai ka kontribuar drejtpërdrejt në uljen e vdekshmërisë tek foshnjat me 40% në nivel global.

Në rajonin evropian, përfshirja e lartë në imunizimin rutinë u ka mundësuar të gjitha 53 vendeve të ruajnë statusin e rajonit të lirë nga poliomieliti, ndër të cilat është edhe Maqedonia, si dhe të arrijnë ose të bëjnë përparim drejt eliminimit të fruthit, rubeolës dhe hepatitit B. Sëmundje të tjera dikur të përhapura, si difteria dhe tetanozi, sot janë ulur ndjeshëm.

“Vendi ynë mbetet i përkushtuar në arritjen e qëllimeve dhe objektivave të përcaktuara në Agjendën Evropiane të Imunizimit 2030, përmes një programi të fortë kombëtar që siguron qasje të barabartë në vaksinimin rutinë dhe sezonal, ruajtjen e besimit në vaksina dhe mbikëqyrje cilësore të sëmundjeve. I bëjmë thirrje komuniteteve, punonjësve shëndetësorë dhe partnerëve që të vazhdojnë të punojnë së bashku për avancimin e këtyre objektivave. Në të njëjtën kohë, apelojmë për mbrojtjen në kohë të të gjithë fëmijëve, sipas kalendarit të imunizimit, për të mbrojtur shëndetin e tyre dhe të komunitetit më të gjerë”, theksoi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo