VLEN ka reaguar pas zgjedhjeve lokale në Bërvenicë, duke deklaruar se respekton vendimin e votuesve të 18 tetorit dhe se kandidati i tij për kryetar komune, Jakup Huseini, menjëherë pas përfundimit të votimit ia ka uruar fitoren Arkin Jahijit dhe i ka ofruar mbështetje për raundin e dytë, përcjell ZYRTARE.net
Në kumtesë, VLEN thekson se tashmë përgjegjësia për mobilizimin e votuesve në raundin e dytë i takon Arkin Jahijit dhe koalicionit të tij.
Megjithatë, nga VLEN-i shprehen të pakënaqur me gjuhën e përdorur nga opozita ditëve të fundit, duke e cilësuar atë si nxitëse dhe përçarëse.
“Fjalori nxitës dhe përçarës, sulmet ndaj kandidatit tonë përkundër konstruktivitetit të tij, ka për qëllim të arrijë efektin e kundërt”, thuhet në kumtesën e VLEN-it.
Nga VLEN deklarojnë se nuk do të bëhen pjesë e, siç i quajnë, lojërave të pista në kurriz të banorëve të Bërvenicës. Sipas tyre, votuesit e VLEN-it janë orientuar që pas zgjedhjeve të mbështesin unitetin dhe kandidatin shqiptar.
VLEN-i paralajmëron gjithashtu se çdo përfshirje e Bërvenicës në pazare politike do të ishte tradhti ndaj votuesve dhe qytetarëve të komunës, duke përmendur edhe veprimet e mëparshme të BDI-së.
“Çdo përfshirje e Bërvenicës në pazare politike, siç e ka dëshmuar BDI-ja në të kaluarën, do të jetë tradhti ndaj votuesve të tyre dhe çdo qytetari të Bërvenicës”, thuhet në reagimin e VLEN-it.