Të shtënat me armë në një hotel në Uashington kanë ngritur pikëpyetje të reja për sigurinë e Presidentit Donald Trump, vetëm disa orë pasi ai u përfshi sërish në një incident të madh sigurie, shkruan BBC.
“Nuk mund ta imagjinoj që ka ndonjë profesion më të rrezikshëm”, u tha Presidenti Donald Trump gazetarëve, duke iu referuar situatave të përsëritura me kërcënime ndaj tij.
Ndërsa një sistem i gjerë i Shërbimit Sekret amerikan e mbron presidentin, incidentet e fundit kanë vënë në diskutim nivelin e sigurisë. Së pari ishte atentati në Butler të Pensilvanisë në verën e vitit 2024, ku një plumb i preku veshin Trumpit. Vetëm 64 ditë më vonë, ai u shënjestrua sërish gjatë një aktiviteti golfi në Florida.
Tani, disa orë pas të shtënave që ndodhën gjatë një eventi të Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë në hotelin Washington Hilton, çështja e sigurisë së presidentit është rikthyer në fokus.
Sipas raportimeve, i dyshuari 31-vjeçar Cole Thomas Allen kishte arritur të futej në zonën e hotelit i armatosur me një pushkë gjahu, një pistoletë dhe thika, përpara se të shkëmbente zjarr me forcat e sigurisë dhe të ndalohej.
Gazetari i BBC-së Gary O’Donoghue, i pranishëm në event, tha se kontrollet në hyrje të hotelit nuk ishin shumë të rrepta, duke ngritur dyshime për dobësi në siguri. Edhe ish-ambasadorja britanike në SHBA, Kim Darroch, kritikoi mënyrën e kontrollit, duke thënë se hyrja në sallë ishte relativisht e lehtë.
Presidenti Trump deklaroi më vonë se hoteli nuk ishte mjaftueshëm i sigurt dhe se ngjarja tregon nevojën për ambiente më të mbrojtura, duke përmendur edhe ndërtimin e një salle të re në Shtëpinë e Bardhë me standarde më të larta sigurie.
Megjithatë, ekspertët e sigurisë theksojnë se ndërhyrja e Shërbimit Sekret ka qenë e shpejtë dhe ka parandaluar që sulmuesi të arrinte në sallën kryesore ku ndodhej presidenti.
Ngjarja shihet si pjesë e një vale më të gjerë të dhunës politike në SHBA, ku janë regjistruar sulme dhe kërcënime ndaj figurave publike, ligjvënësve dhe ish-presidentëve.
Ndër objektivat e tjerë të tentativave për vrasjen e presidentit ishte Ronald Reagan, i cili u qëllua dhe u plagos nga John Hinckley Jr në vitin 1981. Reagan pësoi një shpim në mushkëri gjatë të shtënave, por mbijetoi. Të shtënat ndodhën jashtë Washington Hilton, i njëjti hotel që priti galën e së shtunës.
I pyetur për frekuencën e këtyre sulmeve në eventet e tij, Trump tha se kishte “studiuar vrasjet” dhe se edhe ish-presidentë si Abraham Lincoln ishin gjithashtu në shënjestër.
“Ata janë emra të mëdhenj dhe nuk dua të them se jam i nderuar nga kjo, por kam bërë shumë për SHBA-në.”