Franca: BE-ja së shpejti mund të miratojë sanksione ndaj Izraelit pas ndryshimit të qëndrimit të Hungarisë





Ministri i Punëve të Jashtme i Francës, Jean-Noel Barrot ka deklaruar se Bashkimi Evropian (BE) së shpejti mund të lëvizë përpara me sanksione ndaj Izraelit, pasi ndryshimet në qeverinë hungareze mund të heqin veton e Budapestit, transmeton Anadolu.

Duke folur për “France Info”, Barrot tha se tashmë një vit ai ka përkrahur vendosjen e sanksioneve ndaj individëve ose entiteteve përgjegjëse për dhunën ndaj palestinezëve, përfshirë edhe në Bregun Perëndimor të pushtuar.

“Mendoj se do të arrijmë t’i miratojmë këto sanksione në ditët në vijim”, tha ai. Barrot theksoi se masat deri tani janë bllokuar nga Hungaria nën kryeministrin në largim, Viktor Orban, por sugjeroi se vetoja “mund të hiqet” pas zgjedhjes së kryeministrit të ri hungarez.

Ai paralajmëroi se BE-ja nuk mund të injorojë veprimet e Izraelit nëse politikat e tij mbeten të pandryshuara.

Në mes të thirrjeve për pezullimin e Marrëveshjes së Asociimit BE-Izrael, e cila është e kushtëzuar me respektimin e të drejtave të njeriut, kryediplomati francez tha se nëse qeveria izraelite nuk ndryshon politikën e saj, blloku evropian nuk mund të veprojë sikur asgjë nuk ka ndodhur.

Në të njëjtën kohë, Barrot theksoi se “Franca nuk po kërkon pezullim për hir të pezullimit dhe se çdo vendim duhet të merret në nivel evropian”.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo