Trajneri i Galatasarayt e mohoi interesimin për Frattesin, mediumet italiane thonë se ka kontakte të reja

Pavarësisht mohimeve nga të gjitha palët e përfshira, raportimet vazhdojnë se Davide Frattesi po diskuton një transferim të mundshëm nga Interi te Galatasaray.

Mesfushori po merr gjithnjë e më pak minuta lojë në “San Siro”, çka ka rritur frustrimin e tij, dhe ai është i hapur për një largim gjatë afatit kalimtar të janarit.

Trajneri i Galatasarayt, Okan Buruk, këmbënguli gjatë fundjavës se Frattesi nuk është objektiv, ndërsa Interi mohoi që lojtari të ketë kërkuar largimin apo që klubi të ketë marrë oferta për të.

Megjithatë, “Sky Sport Italia”, “Sport Mediaset” dhe burime të tjera raportojnë sot se ka pasur kontakte të reja, me Frattesin që thuhet se është më se entuziast për idenë e një transferimi në Superligën turke.

Propozimi do të ishte një huazim për 5 milionë euro, me opsion blerjeje në fund të sezonit për edhe 30 milionë euro të tjera.

Megjithatë, Interi po këmbëngul që kjo të jetë një detyrim blerjeje i garantuar në fund të sezonit, ndërsa Galatasaray preferon që të mbetet vetëm një opsion.

Nëse Frattesi do të largohej, “Nerazzurrët” nuk do të kërkonin domosdoshmërisht një zëvendësues, duke marrë parasysh minutazhin e kufizuar që ka pasur reprezentuesi italian.

26-vjeçari ka regjistruar 15 paraqitje zyrtare këtë sezon, duke dhënë dy asistime, por ka qenë titullar vetëm në katër prej tyre.