Në margjinat e Asamblesë së 152-të të Unionit Ndërparlamentar, që mbahet nga 15 deri më 19 prill 2026 në Stamboll, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, zhvilloi takime dypalëshe me përfaqësuesit e parlamenteve dhe organizatave ndërkombëtare.
Në takimin me Kryetarin e Parlamentit të Gjeorgjisë, Shalva Papuashvili, të dy kryetarët shprehën kënaqësinë për zhvillimin pozitiv të marrëdhënieve dypalëshe dhe theksuan gatishmërinë e ndërsjellë për të thelluar bashkëpunimin parlamentar, shkëmbimin e përvojave në zbatimin e reformave dhe forcimin e institucioneve demokratike dhe sundimin e ligjit. U theksua gjithashtu rëndësia e Asamblesë së 67-të të Përgjithshme të PABSEK-ut në Tbilisi, si mundësi për dialog të mëtejshëm. Kryetari Papuashvili i bëri ftesë Kryetarit Gashi për të vizituar Tbilisin gjatë asaj periudhe.
Kryetari Gashi e vizitoi selinë e Asamblesë Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (PABSEK), ku u takua me Sekretarin e Përgjithshëm, Asaf Haxhiev. Të dy bashkëbiseduesit e konfirmuan përkushtimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për pjesëmarrje aktive në PABSEK. Ata shkëmbyen mendime mbi mundësitë për përfshirje më aktive të parlamenteve kombëtare në bashkëpunimin rajonal, veçanërisht në fushat e lidhjes ekonomike, zhvillimit të infrastrukturës dhe sigurisë energjetike.
Kryetari Gashi u takua edhe me kryetarin e Këshillit Global për Tolerancë dhe Paqe, Ahmed bin Muhamad Al Xharvan. Takimi konfirmoi përkushtimin e të dyja palëve për bashkëpunimin e parashikuar nga Memorandumi i Bashkëpunimit i nënshkruar në nëntor 2025 në Shkup. Kryetari Gashi e theksoi rolin e Maqedonisë së Veriut në promovimin e tolerancës si vlerë e përditshme.
Të gjitha takimet u zhvilluan në atmosferë konstruktive dhe miqësore. Kryetari Gashi riafirmoi përkushtimin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për diplomacinë parlamentare aktive dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.