Аliu: Programe të reja për specializime dhe subspecializime – reformë për një sistem shëndetësor më cilësor dhe më efikas
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, së bashku me prof. dr. Svetozar Antoviq, dekan i Fakultetit të Mjekësisë në Shkup, prof. dr. Nevzat Elezi, dekan i Fakultetit të Mjekësisë në Tetovë, prof. dr. Katerina Zlatanovska, dekane e Fakultetit të Mjekësisë në Shtip dhe kryetaren e Odës së Mjekëve, prof. dr. Kalina Grivçeva Stardelova, prezantuan risitë në sistemin shëndetësor përmes avancimit të programeve për specializime dhe subspecializime.
“Programet e reja janë zhvilluar mbi bazën e analizave gjithëpërfshirëse të gjendjes në sistem, të cilat evidentuan profilizim të ngushtë të kuadrit, përgatitje të pamjaftueshme praktike – veçanërisht në mjekësinë urgjente dhe kujdesin intensiv – si dhe presion të shtuar mbi nivelin terciar të shëndetësisë. Reforma synon gjithashtu harmonizimin me standardet bashkëkohore evropiane të arsimit. Fokusi është vendosur te mjekësia interne dhe kirurgjia e përgjithshme si fusha kyçe për funksionimin e sistemit shëndetësor. Me reformën pritet përmirësim i qasjes dhe cilësisë së shërbimeve shëndetësore, ulje e referimeve drejt nivelit terciar, rritje e sigurisë së pacientëve dhe përdorim më efikas i burimeve njerëzore”, theksoi ministri Aliu.
Ai sqaroi se në mjekësinë interne po vendoset trajnim praktik i përforcuar, me theks në mjekësinë urgjente dhe kujdesin intensiv, si dhe trajnim i detyrueshëm për POCUS (ultrazë në pikën e kujdesit), si aftësi standarde. Gjithashtu, përcaktohen ndërhyrjet minimale praktike dhe rritet autonomia e specialistëve, me qëllim krijimin e një kuadri të aftë për të menaxhuar në mënyrë të pavarur gjendje komplekse dhe urgjente në nivelin sekondar.
Në kirurgjinë e përgjithshme po vendoset një kurrikulë pesëvjeçare, e harmonizuar me standardet evropiane, me bazë të gjerë kirurgjikale dhe qasje multisistemike. Përmirësohet edhe sistemi i triagjës dhe krijohet bazë për subspecializim të mëtejshëm, me qëllim sigurimin e një kuadri kirurgjik fleksibil dhe funksional.