Salah vazhdon të shkruajë historinë e Premier League, një tjetër rekord për yllin egjiptian

Mohamed Salah po konsolidohet çdo ditë e më shumë si një legjendë, jo vetëm për Liverpool-in, por edhe për vetë futbollin anglez. Në fitoren 2-1 ndaj West Ham, ylli egjiptian nuk e gjeti rrjetën, por sërish ishte vendimtar. Ai asistoi golin e parë të Luis Diaz, duke e çuar në 18 numrin e pasimeve për gol këtë sezon. Një tjetër dëshmi e klasit të tij jo vetëm si golashënues, por edhe ndërtues i lojës së “reds”.

Ky asist i fundit nuk ishte thjesht një tjetër statistikë në favor të Salah, por moment historik për të në Premier League. Me këtë pasim, egjiptiani ka arritur në 45 gola dhe asistime të kombinuara në kampionat, këtë sezon.

Një shifër që nuk është arritur kurrë që prej sezonit 1995-1996, kur kampionati anglez (Premier League) kaloi në formatin me 20 skuadra. Salah tashmë ka lënë pas emra të mëdhenj si Thierry Henry (24 gola dhe 20 asistime në sezonin 2002-2003 me Arsenalin) dhe Erling Haaland (36 gola dhe 8 asistime në sezonin 2022-2023 me Manchester City).

Nëse shkojmë më pas në kohë, kur Premier League kishte ende 22 skuadra pjesëmarrëse, vetëm dy futbollistë kanë regjistruar shifra më të larta se Salah: Alan Shearer (Blackburn, 1994-1995) dhe Andy Cole (Newcastle, 1993-1994), të dy me nga 47 gola dhe asistime të kombinuara.

Me 6 ndeshje ende për t’u luajtur, Salah ka çdo mundësi t’i tejkalojë edhe këta emra legjendarë, të vendosë një tjetër rekord në një sezon që tashmë e ka futur në historinë e Premier League. Salah nuk ka nevojë për gola për të bërë diferencën, ai thjesht vazhdon të shkëlqejë, si gjithmonë. Shpërblimi? Rinovimi i freskët me Liverpool-in deri në vitin 2027.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.