Masakra në lokalin të tij, kush është Fatjon Murati dhe lidhja me vrasjen e Brilant Martinaj

Një viktimë dhe disa të plagosur është bilanci i rëndë i atentatit që ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Tiranë, në lokalin në pronësi të Fatjon Muratit, një emër i njohur në botën e krimit, i ndaluar disa muaj më parë nga policia, teksa ishte në makinë me Endrit Doklen një tjetër personazh i njohur për drejtësinë. Në momentin e ndalimit në atë kohë, nga policia u sekuestrua edhe një pistoletë.

Fatjon Murati u arrestua më 8 tetor nga Policia e Tiranës. 32-vjeçari Murati ishte shpallur në kërkim nga Policia sepse efektivët kishin gjetur gjurmët e tij të gishtërinjve në kutinë e një arme, ditën kur u zbulua edhe baza e armatimeve në Tiranë, që i përkiste Kristjan Gjinit. Ndërkaq emri i tij ka dalë edhe në masakrën me tre të vrarë në Fushë-Krujë ku u vra edhe Brilant Martinaj, kushëri i Ervis Martinajt.