Erdoğan ndërhyn pas kaosit në Gjeorgji, Turqia mobilizohet në mbrojtje të tifozëve të Beşiktaşit!

Ngjarjet e tensionuara në Batumi të Gjeorgjisë, ku tifozët e skuadrës turke Beşiktaş u përballën me ndërhyrjen e policisë gjatë ndeshjes kundër ekipit izraelit Hapoel Beer-Sheva, kanë shkaktuar reagime të forta në nivelet më të larta të shtetit turk.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Beşiktaşit, Serdal Adalı, duke shprehur solidaritetin e tij dhe duke bërë të ditur se po e ndjek nga afër situatën.

Në këtë çështje është përfshirë edhe diplomacia turke. Ministri i Jashtëm, Hakan Fidan, ka kontaktuar homologen e tij gjeorgjiane, Maka Botchorishvili, për të diskutuar sigurinë dhe gjendjen e qytetarëve turq në Batumi.

Ndërkohë, ministri i Brendshëm turk, Mustafa Çiftçi, ka zhvilluar një bisedë me homologun gjeorgjian, Sulkhan Tamazashvili, duke shprehur shqetësimin për ndërhyrjen ndaj tifozëve dhe duke kërkuar garantimin e kthimit të tyre të sigurt në Turqi.

Reagim ka pasur edhe nga Federata Turke e Futbollit, e cila ka dënuar ndërhyrjen dhe ka kërkuar zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e përgjegjësve.

Në mbështetje të Beşiktaşit kanë dalë publikisht edhe klubet e njohura turke, Fenerbahçe, Galatasaray dhe Trabzonspor.

Incidenti ndodhi pasi tifozët e Beşiktaşit shpalosën flamuj palestinezë në tribunat e stadiumit në Batumi. Situata u tensionua pas ndërhyrjes së forcave të sigurisë dhe përdorimit të sprejit irritues, ndërsa ndeshja u ndërpre në minutën e 26-të.

Pas rreth 30 minutash, takimi rifilloi dhe përfundoi me fitoren 2-1 të Beşiktaşit.

Ngjarja ka marrë përmasa përtej sportit, duke u shndërruar në çështje diplomatike mes Turqisë dhe Gjeorgjisë, ndërsa autoritetet turke kërkojnë përgjegjësi për trajtimin e tifozëve të tyre në Batumi.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo