15 kilometra mes anijeve në flakë, notari sfidon luftën në Hormuz

Mes shpërthimeve, anijeve në flakë dhe rrezikut të vazhdueshëm nga përplasjet ushtarake, një notar britanik ka përfunduar një sfidë të pazakontë në Ngushticën e Hormuzit, duke përshkuar rreth 15 kilometra në ujërat e prekura nga konflikti me Iranin.

Lewis Pugh, 56 vjeç, i njohur për ekspeditat e tij ekstreme dhe i shpallur Patron i Oqeaneve nga Kombet e Bashkuara, notoi për tri ditë përgjatë bregdetit të Omanit, me synimin për të tërhequr vëmendjen ndaj dëmeve mjedisore të luftës.

Sipas dëshmisë së tij, vetëm pak minuta pasi kishte hyrë në ujë ditën e parë, një cisternë nafte u godit nga një predhë rreth katër kilometra larg vendit ku ai po notonte.

Ditën e dytë, Pugh u përball me një tjetër skenë tronditëse. Anija Tara Gas, që transportonte gaz të lëngshëm, ishte përfshirë nga flakët. Notari tregoi se kaloi pranë saj ndërsa zjarri vazhdonte.

Flakët ishin gjigante dhe mendimi im i parë shkoi te marinarët në bord, rrëfeu ai, duke paralajmëruar se goditja e anijeve që transportojnë lëndë shumë të ndezshme mund të shkaktojë pasoja katastrofike edhe për ekosistemin detar.

Pugh thekson se, ndërsa pasojat njerëzore të lu*ftës janë të dukshme dhe tragjike, dëmet ndaj natyrës shpesh mbeten në hije.

Ngushtica e Hormuzit është një nga korridoret më të rëndësishme të transportit të naftës në botë, por edhe një habitat për breshkat e detit, peshkaqenët-balenë dhe gjitarë të rrallë detarë.

Sipas tij, derdhjet e naftës dhe ndotja nga anijet e goditura mund të dëmtojnë për dekada shkëmbinjtë koralorë, livadhet nënujore dhe pyjet e mangroveve.

Pas përfundimit të sfidës, notari britanik bëri thirrje për ndalimin e armiqësive, rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe nisjen e masave për rehabilitimin e mjedisit detar.

Mesazhi i tij është i qartë: lu*fta nuk shkatërron vetëm jetë njerëzore dhe qytete, por lë plagë të thella edhe në natyrë, të cilat mund të mbeten për breza të tërë.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo