Një shtetas serb është arrestuar në pikën kufitare të Tabanocit, pasi kishte drejtuar automjetin me shpejtësi 158 kilometra në orë, në një segment rrugor ku shpejtësia maksimale e lejuar ishte 80 km/orë, njoftoi policia.
Më 22 nëntor 2026, rreth orës 19:40, gjatë daljes nga Maqedonia e Veriut, policia arrestoi Gj.K. (59) nga Serbia, i cili drejtonte një automjet të tipit “Audi” me targa serbe.
Gjatë kontrollit u konstatua se ai ishte evidentuar nga sistemi “Qyteti i Sigurt” (Safe City) për veprën penale “Drejtim i pakujdesshëm i automjetit”, sipas nenit 297-a të Kodit Penal.
Më 19 nëntor, në autostradën Demir Kapi–Gjevgjeli, ai kishte vozitur me 158 km/orë në një zonë ku kufizimi ishte 80 km/orë.
59-vjeçari është dërguar në Stacionin Policor të Negotinës, ndërsa për rastin është njoftuar prokurori publik. Pas dokumentimit të plotë, ndaj tij do të parashtrohet kallëzim penal përkatës.