Angellov: Këshilltar në DMSH i ka kërkuar 500 euro ryshfet një qytetari për mendim pozitiv për ndërtim





Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov, ka bërë të ditur se para aksionit të sotëm policor ishte paraqitur një rast për kërkim ryshfeti brenda institucionit.

Sipas Angellovit, para disa ditësh ai ka pranuar një telefonatë nga një qytetar i cili kishte pretenduar se një i punësuar në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim i kishte kërkuar 500 euro në këmbim të lëshimit të një mendimi pozitiv, të nevojshëm për ndërtimin e një objekti.

Ai sqaroi se bëhej fjalë për një të punësuar në pozitën e këshilltarit për planifikim urbanistik. Pas marrjes së informacionit, qytetari ishte udhëzuar që rastin ta denonconte menjëherë në Departamentin për Krim të Organizuar pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Angellov e përshëndeti aksionin e sotëm të MPB-së, pas të cilit u arrestua një i punësuar në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim nën dyshimet për marrje ryshfeti.

Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që, nëse përballen me veprime të paligjshme nga ana e të punësuarve në DMS, rastet t’i paraqesin te institucionet kompetente.

Në deklaratën e tij, Angellov shprehu mirënjohje edhe për punonjësit e Drejtorisë të cilët, sipas tij, i kryejnë detyrat e tyre me ndershmëri, përgjegjësi dhe përkushtim.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo