Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar një mesazh të drejtpërdrejtë Serbisë nga Parisi, duke kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe dorëzimin e Milan Radoiçiqit, të akuzuar për përfshirjen në organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë.
Gjatë një bashkëbisedimi me studentët e Paris School of International Affairs (PSIA), Kurti u ndal te procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, duke theksuar se udhëheqja e Beogradit duhet të pranojë realitetin e ri politik në rajon.
“Ky duhet të jetë gjithashtu një proces përmes të cilit qeveria e Serbisë, e cila së fundmi ka kaluar nëpër një ndryshim të udhëheqjes, të arrijë ta njohë realitetin e shekullit XXI: Kosova është shtet i pavarur, i njohur nga mbi 120 shtete”, deklaroi Kurti.
Kreu i qeverisë së Kosovës theksoi se Serbia duhet të heqë dorë nga fushata kundër njohjes ndërkombëtare të Kosovës dhe nga përpjekjet për të penguar anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare.
Ai kritikoi edhe shfrytëzimin nga Beogradi të qëndrimit kundërshtues të Rusisë ndaj përfshirjes së Kosovës në institucionet ndërkombëtare.
Një tjetër çështje që Kurti e konsideroi të rëndësishme për normalizimin e marrëdhënieve ishte përgjegjësia për sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Kryeministri kërkoi dorëzimin e Milan Radoiçiqit, të cilin e cilësoi si arkitektin kryesor të sulmit, duke theksuar se përgjegjësia për këtë ngjarje duhet të jetë pjesë e procesit të dialogut.
Kurti kërkon njohjen e Kosovës nga vendet e BE-së dhe NATO-s
Gjatë diskutimit në Paris, Kurti u ndal edhe te pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe katër vendet e NATO-s që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Ai kërkoi që këto vende të marrin parasysh rrethanat historike që çuan në shpalljen e pavarësisë, duke argumentuar se rasti i Kosovës nuk mund të barazohet me lëvizje të tjera separatiste.
“Çështja e tretë, e ndërlidhur ngushtë me dialogun me Serbinë, është njohja e Kosovës nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe katër shtetet anëtare të NATO-s që ende nuk e kanë njohur atë. Besojmë se ato duhet ta kuptojnë se rrethanat në të cilat lindi vendi ynë, represioni, spastrimi etnik dhe gjenocidi që përjetoi populli ynë, nuk mund të barazohen thjesht me lëvizjet separatiste me të cilat nganjëherë bëhen paralele”, u shpreh Kurti.
Kryeministri foli gjithashtu për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke vlerësuar se lufta e Rusisë kundër Ukrainës e ka bërë edhe më urgjent integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Sipas tij, kjo urgjencë nuk duhet të krijojë një situatë ku disa vende përparojnë drejt anëtarësimit, ndërsa të tjerat mbeten përballë një perspektive të paqartë evropiane.
Kurti ndodhet në kryeqytetin francez për të marrë pjesë në Forumin e Paqes në Paris, në margjinat e të cilit ka zhvilluar takime dhe aktivitete të tjera.