REAGON PARKU KOMBËTAR “MALI SHARR”: Zbulohet ndërtim në “Gurin e Sokolecit” në fshatin Kalisht, rasti i përcillet Inspektoratit të Vrapçishtit!





Pas raportimeve dhe shqetësimeve për ndërtimet në lokalitetin “Sokolec”, i njohur si “Guri i Sokolecit”, ka reaguar zyrtarisht edhe Parku Kombëtar “Mali Sharr”.

Më 29 tetor, ekipet e këtij institucioni kanë dalë në terren, ku kanë konstatuar një objekt në ndërtim, me konstruksion metalik, bazë betoni dhe çati llamarine, me sipërfaqe rreth 30 metra katrorë.

Gjatë kontrollit, pronari nuk është gjetur në vendngjarje, ndërsa nuk është paraqitur asnjë leje ndërtimi apo dokumentacion tjetër për objektin.
Nga Parku Kombëtar bëjnë të ditur se objekti gjendet brenda territorit të Parkut Kombëtar “Mali Sharr”, në zonën e shfrytëzimit të qëndrueshëm, ku ndërtimet lejohen vetëm me lejet përkatëse dhe në respektim të regjimit të mbrojtjes.

Institucioni sqaron se nuk ka dhënë mendim për këtë ndërtim dhe se për gjendjen e konstatuar ka përgatitur procesverbal, të shoqëruar me fotografi, ndërsa rastin ia ka përcjellë Inspektoratit kompetent të ndërtimit në Komunën e Vrapçishtit.

Tashmë pritet që Inspektorati të verifikojë dokumentacionin dhe të përcaktojë statusin juridik të objektit, si dhe masat eventuale që do të ndërmerren.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo