A PO LIND NJË BREZ I RI LIDERËSH PRAGMATIKË NË SERBI?

Shkruan: Merxhan Jakupi
Revolta masive dhe protestat studentore kanë treguar se zgjedhjet parlamentare të së dielës mund të jenë vendimtare për të ardhmen e Serbisë. Sipas analistëve serbë, ekziston një forcë e re politike, e përfaqësuar nga një gjeneratë e lindur pas shpërbërjes së Federatës Jugosllave, e cila mund të shënojë shkëputjen nga trashëgimia e liderëve nacionalistë të viteve të 90-ta, siç janë Vojislav Shesheli dhe Ivica Daçiqi, si dhe lideri i fundit i kësaj mendësie politike, Aleksandar Vuçiqi.
Sipas analizave, ardhja e liderëve të rinj mund të shënojë fillimin e një epoke të re dhe shkëputjen nga ideologjitë, mitet, nacionalizmi, hegjemonizmi dhe projektet e hartave të unitarizmit serb. Fitorja e forcave demokratike dhe ardhja në skenën politike e një gjenerate të re liderësh dhe politikanësh, sipas analistëve, do të mund të ndryshonin diskursin politik dhe impaktin e Serbisë në rajon.
Aleksandar Vuçiqi, pinjoll i Millosheviqit, ka qenë në pushtet për më shumë se 14 vjet, në fillim si kryeministër e më pas si president i Serbisë. Gjatë regjimit të tij, ai dhe elita politike nën drejtimin e tij, kanë vazhduar të prodhojnë kriza dhe tensione në Kosovë e Bosnjë-Hercegovinë, si dhe përplasje me Malin e Zi dhe Kroacinë. Ky lider nacionalist, autokrat dhe populist e ka mbështetur pushtetin e tij në një diskurs politik që ka ushqyer tensionet dhe pasigurinë në rajon.
Sipas narrativës së nacionalistëve serbë, ekziston një urrejtje patologjike, e shoqëruar me etnocentrizëm dhe fyerje ndaj popujve fqinjë. Nëpërmjet nocioneve të këtij diskurs nacionalist, kroatët paraqiten si të rrezikshëm, boshnjakët etiketohen si “turkoshakë“, ndërsa shqiptarët përshkruhen si primitivë.
Sipas disa analistëve dhe kritikëve të Vuçiqit, një pjesë e gjeneratës që kanë lindur pas shpërbërjes së ish-Federatës Jugosllave është indoktrinuar nga liderët nacionalistë serbë, si Vojislav Shesheli, Ivica Daçiqi, Aleksandar Vulini dhe të tjerë.
Ky indoktrinim shfaqet në forma të ndryshme në jetën publike. Të rinj dhe tifozë në stadiume janë shfaqur me pankarta të frymëzuar nga liderët nacionalistë. Ndërkohë, ndikimi i ideologjisë nacionaliste përcillet edhe përmes teksteve shkollore, pop kulturës dhe këngëve kushtuar Sllobodan Millosheviqit, Ratko Mlladiqit dhe Radovan Karaxhiqit.

Gjatë protestave dhe lëvizjeve studentore, studentët shpesh kanë përdorur slogane të ngjashme me retorikën politike të liderëve nacionalistë serbë.
Të dielën, më 25 tetor, mund të ndodhin dy skenarë politikë. Fitorja e forcave të reja, të përfaqësuara nga liderë të rinj, të cilët mund të ndryshojnë diskursin politik, që nënkupton një orientim të ri për Serbinë drejt një të ardhmeje demokratike dhe evropiane. Ndërsa skenari i dytë është fitorja e forcave të vjetra nacionaliste, gjegjësisht vazhdim status quo-së.
Nëse Vuçiqi dhe koalicioni i tij “Serbia e Bashkuar“, do t’i fitojnë zgjedhjet parlamentare dhe Vuçiqi vazhdon të qëndrojë në pushtet, Serbia me gjasë do të mbetet larg hyrjes në Bashkimin Evropian. Siç kam shkruar edhe në artikullin e javës së kaluar, Serbia mund të mbetet një ishull senduiç , i rrethuar nga shtetet anëtare të BE-së dhe vendet e NATO-s.
Një skenar i tillë do të ndikonte jo vetëm në të ardhmen evropiane të Serbisë, por edhe në stabilitetin e përgjithshëm të Ballkanit Perëndimor, duke e mbajtur rajonin të trazuar dhe jostabil deri në fund.
Vuk Drashkoviqi, në një ese politike, thekson se është skeptike lidhur me mundësinë e ndryshimit të narrativës dhe të diskursit politik të liderëve opozitarë që dalin nga lëvizja studentore dhe opozita .
Sipas tij, këto forca të reja duhet të sjellin ndryshime dhe t’u japin fund, njëherë e përgjithmonë, ideologjive nacionaliste, mitit për Kosovën dhe projektit “Bota Serbe“.
“Ne, serbët, më shumë se një shekulli, po e bartim mbi supe dhe në shpinë barrën e një labirinti “, thekson Drashkoviqi. Në një podcast, ai thekson se forcat e reja politike duhet para së gjithash ta njohin Kosovën dhe të kërkojnë falje për gjenocidin dhe krimet e luftës të kryera nga liderët nacionalistë serbë në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kosovë.
Siç dihet, edhe forcat e reja politike serbe nuk pritet ta njohin Kosovën dhe as të distancohen plotësisht nga politika e Milorad Dodikut, liderit të serbëve të Bosnjë-Hercegovinës. Shumica e elektoratit të lëvizjes studentore dhe të opozitës serbe kundërshton njohjen e Kosovës.
Në rast të fitores së forcave të dala nga gjiri i lëvizjes studentore, nën sloganin “Studentët fitojnë“, dhe të frontit opozitar demokratik, ndryshimet politike, sipas disa analistëve, do të mund të zhvilloheshin në disa faza. Së pari, ato do të përqendroheshin te reformat, lufta kundër kapjes së shtetit dhe korrupsionit, si dhe forcimi i shtetit të së drejtës. Më pas, do të mund të vijë ndryshimi i ndikimit dhe establishmenti i politikës së jashtme.
Integrimi në Bashkimin Evropian dhe normalizimi i diskursit politik me shtetet fqinje, duke përfshirë Kosovën. Sipas disa analistëve, edhe një qeveri e dalë nga këto forca nuk do ta njihte Kosovën, por mund të ndryshonte diskursin politik ndaj serbëve të Kosovës.
Përveç dialogut politik, qeverisja e re mund të krijonte më shumë hapësirë për pluralizëm politik të subjekteve politike të pavarura. Ndryshimi i qasjes politike do të mund të ndikonte në integrimin më të madh të serbëve të Kosovës në institucionet dhe jetën politike të vendit. Në këtë drejtim, decentralizimi i pushtetit lokal dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore do të mbeteshin çështje të rëndësishme për komunitetin serb dhe në fund do ta konsideronin Kosovën shtet edhe të tyre.
Me disfatën politike të Aleksandar Vuçiqit dhe fitoren e forcave të reja politike, të përfaqësuara nga liderë liberalë dhe pragmatikë në Serbi, analisti dhe kritiku Svetislav Basara ka theksuar se, më në fund, merr fund procesi i shpërbërjes së ish-Federatës Jugosllave.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo