Siljanovska pret në takim kryetaren e Gjysmëhënës së Kuqe Turke

Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, ka pritur kryetaren e Gjysmëhënës së Kuqe Turke dhe anëtaren e Këshillit të Presidentit të Republikës së Turqisë, Fatma Meriç Yilmaz, e shoqëruar nga kryetarja e Kryqit të Kuq të Maqedonisë së Veriut, Liljana Ristevska, transmeton Anadolu.

Siljanovska-Davkova e ka vlerësuar bashkëpunimin e suksesshëm mes Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe Turke, të vendosur në vitin 1995, si një faktor të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve miqësore mes Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë, thuhet në një njoftim të Kabinetit të Presidentes.

Ajo ka theksuar se sfidat gjithnjë e më komplekse humanitare kanë imponuar nevojën për solidaritet më të madh ndërkombëtar, ndihmë të koordinuar dhe kalim nga reagimi ndaj krizave drejt parandalimit të tyre.

Sipas saj, forcimi i bashkëpunimit humanitar rajonal dhe shkëmbimi i njohurive, përvojave dhe praktikave të mira kanë mundësuar një përgjigje më efikase, në kohë dhe të përshtatshme ndaj krizave.

Siljanovska-Davkova e ka mirëpritur zgjerimin e projekteve ekzistuese dhe fillimin e nismave të reja të përbashkëta mes dy organizatave kombëtare, të orientuara drejt ndihmës për kategoritë e cenueshme si në kushte lufte, ashtu edhe në kohë paqeje.

Nga ana e saj, Yilmaz ka informuar për rolin e Gjysmëhënës së Kuqe Turke dhe rrjetin e saj ndërkombëtar, si dhe për bashkëpunimin e frytshëm me Kryqin e Kuq të Maqedonisë së Veriut përmes programeve të shumta, donacioneve dhe trajnimeve.

Ajo ka theksuar se aktualisht, në fokus të aktiviteteve humanitare të organizatës janë personat mbi 65 vjeç, të cilët i ka cilësuar si kategorinë më të lënë pas dore të qytetarëve.

Yilmaz ka rikujtuar gjithashtu ndihmën e pakursyer të Turqisë për qytetarët e Shkupit pas tërmetit shkatërrues të vitit 1963, si dhe ndihmën e ndërsjellë të Maqedonisë së Veriut për qytetarët turq pas tërmetit shkatërrues në Turqi në vitin 2023.

“Është ndërtuar një shkollë e re, e cila sot mban emrin ‘Maqedonia’”, ka thënë ajo.

Gjatë takimit, Yilmaz i ka dhuruar presidentes Siljanovska-Davkova dokumente arkivore dhe fotografi historike që dokumentojnë ndihmën e Gjysmëhënës së Kuqe Turke pas tërmetit të Shkupit në vitin 1963.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo