ASH: Punonjësit e Ministrisë së Mbrojtjes meritojnë transport të sigurt dhe dinjitoz





Fotografitë e djeshme të 8 tetorit, nga linja Shkup-Shtip, ku shihet një autobus i ndalur në rrugë dhe punonjësit jashtë tij, ngrenë shqetësime serioze për kushtet e transportit të punonjësve të Ministrisë së Mbrojtjes.

Sipas ankesave të punonjësve, autobusët e angazhuar për transportin e tyre qarkullojnë pa klimatizim dhe ngrohje funksionale, ndërsa defektet teknike janë të shpeshta.

Është e papranueshme që punonjësit e një institucioni kaq të rëndësishëm të përballen me kushte të tilla gjatë udhëtimit të përditshëm drejt vendit të punës. Siguria e tyre nuk mund të lihet në mëshirë të fatit.

Edhe pse transporti realizohet nga një kompani e kontraktuar, Ministria e Mbrojtjes ka përgjegjësinë të mbikëqyrë zbatimin e kontratës dhe të sigurojë që shërbimi të përmbushë standardet e kërkuara.

Aleanca për Shqiptarët kërkon nga Ministria e Mbrojtjes verifikim të menjëhershëm të gjendjes teknike të autobusëve, transparencë për kushtet e kontratës dhe masa konkrete ndaj operatorit nëse konstatohen shkelje.

Punonjësit që i shërbejnë sigurisë dhe mbrojtjes së vendit meritojnë të paktën siguri gjatë rrugës për në punë dhe kthimit në shtëpi.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo