MERMH-ja, Shërbimi Gjeologjik dhe UGD-ja me iniciativa të përbashkëta për energjinë gjeotermale, burimet minerale kritike dhe hulumtimet gjeologjike





Në Ministrinë e energjisë, minierave dhe burimeve minerale u mbajt një takim koordinues me përfaqësues të Universitetit “Goce Dellçev” në Shtip dhe të Shërbimit Gjeologjik. Në takim u shqyrtuan mundësitë për pjesëmarrje të përbashkët në projekte kërkimore evropiane, si dhe iniciativa për avancimin e hulumtimeve gjeologjike dhe shfrytëzimin më të mirë të burimeve minerale dhe gjeotermale në vend.
Tema qendrore e takimit ishte mundësia e pjesëmarrjes së përbashkët në thirrjen në kuadër të programit “Horizont Evropa”, e cila synon vlerësimin e burimeve në rezervuarët sedimentarë të thellë dhe nëntokësorë. U shqyrtua mundësia e formimit të një konsorciumi ndërkombëtar dhe përfshirja e partnerëve të huaj me përvojë në hulumtimet gjeologjike dhe gjeotermale.
Qëllimi është që, përmes një projekti të përbashkët, të kontribuohet në përcaktimin më të mirë të potencialit gjeotermal të vendit, përmes analizimit të të dhënave të disponueshme gjeologjike dhe gjeofizike, analizave laboratorike dhe modelimit, si dhe, nëse e lejojnë kushtet teknike dhe të projektit, përmes shpimit hulumtues dhe marrjes së bërthamës për studime të mëtejshme shkencore.
Gjatë bisedimeve u theksua edhe nevoja për një qasje sistematike ndaj lëndëve të para minerale kritike, duke pasur parasysh rëndësinë e tyre gjithnjë në rritje për energjetikën, teknologjitë e reja dhe zhvillimin ekonomik. Në këtë drejtim, u shqyrtua iniciativa për përgatitjen e një Programi për hulumtimin e lëndëve të para minerale kritike, përmes të cilit do të përcaktoheshin prioritetet dhe aktivitetet e ardhshme për hulumtimin e potencialit të tyre në vend, me përfshirjen e kapaciteteve profesionale dhe shkencore të Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Teknike pranë UGD-së.
Në takim u diskutua edhe çështja e Sivecit, si lëndë e parë minerale vendore e njohur, me ç’rast u propozua të shqyrtohen mundësitë dhe kushtet për mbrojtjen e duhur dhe njohjen e tij përmes një treguesi gjeografik.
Gjithashtu, u iniciua përgatitja e Katalogut të lëndëve të para minerale, i cili synon t’i paraqesë në mënyrë të sistematizuar informacionet e disponueshme për lëndët e para minerale dhe potencialin e tyre. Ideja është që katalogu të kontribuojë në qasje dhe pasqyrë më të mirë të informacioneve gjeologjike, si bazë për hulumtime të mëtejshme, planifikim dhe promovim të potencialit mineral të vendit.
Për realizimin e aktiviteteve u theksua nevoja për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë, Shërbimit Gjeologjik, Universitetit “Goce Dellçev” dhe institucioneve të tjera shkencore e profesionale, si dhe për përfshirje aktive në programet evropiane për kërkim dhe zhvillim.
Në lidhje me thirrjen e programit “Horizont Evropa”, pjesëmarrësit u pajtuan të punojnë për përgatitjen e një koncepti të përbashkët të projektit dhe identifikimin e partnerëve të përshtatshëm të huaj. Si partnerë potencialë u shqyrtuan institucione gjeologjike dhe profesionale nga Kroacia, Sllovenia dhe Gjermania.
Nëpërmjet këtyre aktiviteteve, Ministria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale e përqendron vëmendjen te hulumtimi sistematik i potencialit gjeologjik të vendit, zhvillimi i energjisë gjeotermale, njohja më e mirë e lëndëve të para minerale kritike dhe krijimi i një baze profesionale për menaxhimin afatgjatë dhe të qëndrueshëm të burimeve minerale.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo