Ramadani: Ndoshta dikujt i hahet flija, por Izet Mexhiti nuk kthehet te Ali Ahmeti

Analisti politik Ramadan Ramadani ka komentuar zërat për një rikthim të mundshëm të një pjese të VLEN-it, përfshirë Izet Mexhitin, në radhët e BDI-së opozitare.

Në një analizë të publikuar sot, Ramadani shprehet se një skenar i tillë nuk pritet të ndodhë, duke renditur disa arsye politike.

Sipas tij, rikthimi i Mexhitit në një krah me Ali Ahmetin dhe BDI-në do ta zhvlerësonte atë që ai e konsideron si aksionin më të madh politik të karrierës së Mexhitit, përkatësisht rrëzimin e BDI-së nga pushteti dhe ndryshimin politik.

Ramadani argumenton gjithashtu se një rikthim i tillë do të nënkuptonte, sipas tij, një degradim të pozitës politike të Mexhitit, nga ortak dhe themelues i një projekti politik në një rol më dytësor brenda BDI-së.

” ”
Ai vlerëson se VLEN tashmë ka avancuar në drejtim të konsolidimit si subjekt politik dhe përmend edhe deputetët Ismail Jahoski dhe Sali Murat, për të cilët thotë se nuk janë shkëputur nga BDI-ja.

Në analizën e tij, Ramadani e lidh situatën edhe me zgjedhjet e jashtëzakonshme në Komunën e Bërvenicës, duke theksuar se ato kanë rëndësi jo vetëm për skenën politike shqiptare, por edhe për VLEN-in dhe raportet politike në njësinë zgjedhore numër 6.

Në fund, Ramadani rikthehet te titulli i analizës dhe me një dozë ironie shkruan se dikujt mund t’i ketë “hangër fli”, por për një rikthim politik, sipas tij, mungojnë “saçi, brumi dhe tëlyni”.

“Dikujt në vapën e verës iu ka hangër fli, por nga vapa s’ia ka marrë mendja. Tani, si është flladitur koha, ndonëse ia merr mendja, prapëseprapë mund të mos hajë nëse i mungon saçi, brumi dhe tëlyni”, shkruan Ramadani.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo