Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e kësaj të marte në Tropojë, ku një punonjës i Bashkisë ka humbur jetën pasi ka rënë në kontakt me energjinë elektrike, së bashku me tre kolegët e tij.
Sipas informacioneve paraprake, punonjësit po vendosnin një shtyllë ndriçimi në rrugën e Dobravës por për shkak të peshës së saj, shtylla u ka lëvizur nga dora dhe ka prekur telat e energjisë elektrike, duke përcjellë rrymën te punonjësit.
Si pasojë, shtetasi M. S., 59 vjeç, ka humbur jetën në vendin e ngjarjes. Ndërkohë, tre punonjësit e tjerë, A. D., 40 vjeç, I. D., 47 vjeç dhe A. A., 21 vjeç, raportohet se ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin e Bajram Currit.
Njoftimi i policisë
“Më datë 08.09.2026, rreth orës 10:00, kemi marrë njoftim se, në afërsi të fshatit Bujan, në rrugën e Dobravës, 4 punonjës të Bashkisë Tropojë, duke kryer punime për shpërndarjen dhe vendosjen fizike të shtyllave të ndriçimit në këtë rrugë, kanë rënë në kontakt me rrymën elektrike.
Nga veprimet paraprake dyshohet se, gjatë vendosjes së një shtylle në bazament, për shkak të peshës së saj, 4 punonjësit që po e mbanin kanë humbur ekuilibrin dhe shtylla ka prekur telat e rrymës, duke përcjellë energjinë elektrike te punonjësit.
Si pasojë, shtetasi M.S 59 vjeç ka ndërruar jetë, ndërsa shtetasit A. D 40 vjeç., I. D. 47 vjeç dhe A. A. 21 vjeç ndodhen në Spitalin e Bajram Currit, për trajtim mjekësor.
Nga veprimet paraprake rezulton se punonjësit po kryenin transportin dhe shpërndarjen e shtyllave, sipas planit të punës, datë 04.09.2026, të Bashkisë Tropojë, Drejtorisë së Turizmit, Shërbimeve Publike dhe Transportit.
Grupi hetimor po vijon veprimet procedurale për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.