Imami i Llacës reagon pas tensioneve: “Nuk lejuam që situata të keqpërdorej për të krijuar përçarje mes vëllezërve. Falënderoj të gjithë”

Imami i Xhamisë së fshatit Llacë në Tetovë, H. Bajram ef. Xhezairi, ka reaguar pas situatës së tensionuar që ditëve të fundit shkaktoi polemika dhe reagime të shumta, duke falënderuar bashkëfshatarët, Myftininë e BFI-së në Tetovë, imamët dhe mediat për, siç shprehet, pjekurinë dhe kontributin në qetësimin e situatës.

Në deklaratën e tij, Xhezairi thotë se situata e krijuar rrezikonte të cenonte unitetin e bashkësisë dhe të shqiptarëve, por sipas tij, tensionet tashmë janë qetësuar.

“Dua të shfaq mirënjohjen time për të gjithë bashkëfshatarët tanë që treguan pjekuri dhe nuk lejuan assesi të keqpërdoret situata e tensionuar për të krijuar përçarje dhe ndasi mes vëllezërve”, ka shkruar ai.

Imami ka shprehur mirënjohje edhe ndaj Myftinisë së BFI-së – Tetovë dhe kolegëve imamë nga trevat shqipfolëse, për mbështetjen dhe përkrahjen e tyre gjatë kësaj situate, njofton TS.

Xhezairi ka falënderuar gjithashtu mediat dhe portalet që, sipas tij, kanë kontribuar në sqarimin e situatës.

“Një falënderim i sinqertë dhe mirënjohje e madhe edhe për ta”, ka shkruar imami i Llacës.

Në fund të deklaratës, H. Bajram ef. Xhezairi ka bërë thirrje për ruajtjen e unitetit dhe shmangien e përçarjeve, duke e përmbyllur mesazhin me një lutje për dallimin mes së drejtës dhe së kotës.

“Me shpresë se ngjarjet si kjo nuk do të na prekin asnjëherë”, shkruan ai, duke u lutur që komuniteti të ruajë qetësinë, unitetin dhe maturinë përballë situatave të ngjashme.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo