Nuk është rasti i parë kur VLEN e mbron plotësisht apo edhe hesht përballë Stoillkoviçit dhe skandaleve të tij, apo më saktë, përballë mega-skandaleve të tij.
VLEN heshti kur Stoillkoviç Republikën e Kosovës e quajti “Kosovo i Metohija”.
VLEN heshti për marshimin e ushtarëve dhe policëve serbë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
VLEN heshti edhe për deklaratat skandaloze të ministrave të Serbisë, të bëra në mes të Maqedonisë së Veriut, me të cilat kontestohej dhe nënçmohej realiteti shtetëror i vendit.
VLEN heshti kur Qeveria e Maqedonisë së Veriut, pjesë e së cilës janë edhe vetë ata, e priti me nderime shtetërore Milorad Dodikun.
VLEN heshti edhe përballë deklaratave antiperëndimore dhe proruse të Dodikut.
VLEN, gjithashtu, ndihmoi konktetisht që Alta Banka serbe të bëhet pjesë e sektorit bankar në vend, ndërkohë që është e qartë se interesat ekonomike dhe bizneset serbe po shtrihen gjithnjë e më shumë në Maqedoninë e Veriut.
Nën qeverisjen ku VLEN është pjesë, edhe kapitali serb po zgjerohet në vend. Sot kemi edhe medium serb që vepron në Maqedoninë e Veriut. Deri ku do të shkojë ky ndikim dhe ky depërtim, mbetet të shihet.
Ndoshta kjo nënshtrimësi e VLEN-it ndaj Stoillkoviçit e ka gjenezën pikërisht te fjalët e vetë Stoillkoviçit, i cili ka deklaruar se vetëm deri më tani, dy apo tre herë, përfaqësuesit e VLEN-it i ka “shpëtuar” nga turpi publik.
Dhe çfarë ndodhi pas kësaj deklarate? Asgjë.
Asnjë kundërshtim. Asnjë distancim. Asnjë reagim.
Përkundrazi, VLEN vazhdon të jetë në shërbim të Stoillkoviçit: me votat e tij, me propagandën e tij dhe me arsyetimin e çdo vendimi që merr ai.
Edhe kur pesë administratorë shqiptarë u përjashtuan nga puna, VLEN nuk e ndaloi Stoillkoviçin dhe ai vazhdoi të gëzojë mbrojtjen e tyre.
Sot, edhe rasti i një zyrtari serb në Agjencinë për të Drejtat e Komuniteteve po has në të njëjtën mbrojtje politike nga VLEN.
Prandaj, pyetja është legjitime dhe përgjigjja gjithnjë e më e qartë:
Çfarë borxhi i ka VLEN Stoillkoviçit, që gjithmonë e mbështet dhe e mbron?
Sepse heshtja e vazhdueshme, mbrojtja politike dhe gatishmëria për të arsyetuar çdo skandal nuk mund të jenë rastësi.
VLEN sot është një strukturë politike e kapur, që në vend se të mbrojë interesat e qytetarëve shqiptarë dhe interesin shtetëror të Maqedonisë së Veriut, ka zgjedhur të heshtë dhe të shërbejë. E kapur jo vetëm nga Stoillkoviçit, por edhe prej ndikimeve dhe interesave që ai përfaqëson.