Pas më shumë se 20 vitesh pritje, sot ka nisur zyrtarisht ndërtimi i autostradës Shkup–Bllacë, një projekt i rëndësishëm infrastrukturor që synon të përmirësojë lidhjen e Maqedonisë së Veriut me Kosovën.
Në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit mori pjesë edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, i cili theksoi se fillimi i punimeve paraqet realizimin e një premtimi të dhënë në fillim të mandatit.
“Pas më shumë se 20 vitesh, ndërtimi i autostradës Shkup–Bllacë fillon dhe ky projekt po bëhet realitet”, u shpreh Mickoski.
Kryeministri veçanërisht vlerësoi faktin se punimet ndërtimore do të realizohen nga një kompani maqedonase, duke theksuar se kjo do të sjellë vlerë të shtuar për ekonominë vendase dhe mundësi të reja punësimi për qytetarët.
“Kur ndërtoni një rrugë, kur ndërtoni një autostradë, ju ndërtoni të ardhmen”, tha Mickoski, duke shtuar se projektet kapitale duhet të krijojnë kushte që të rinjtë të ndërtojnë të ardhmen dhe familjet e tyre në vendlindje.
Autostrada Shkup–Bllacë konsiderohet një nga projektet e rëndësishme infrastrukturore për forcimin e lidhjes rrugore mes kryeqytetit dhe pikës kufitare Bllacë, si dhe për përmirësimin e qarkullimit dhe bashkëpunimit ekonomik me Kosovën.
Mickoski theksoi se fokusi i qeverisë është realizimi i projekteve konkrete që, përmes investimeve kapitale dhe zhvillimit të infrastrukturës, do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhe në krijimin e kushteve më të mira për qytetarët.