Kthehen nga Siria në Shqipëri 5 shtetas shqiptarë, mes tyre gra dhe fëmijë





Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton se, më 26 gusht 2026, përfundoi operacioni për riatdhesimin vullnetar nga Siria të pesë shtetasve shqiptarë, nga të cilët gra e fëmijë.

“Operacioni është kurorëzim i një pune të gjatë dhe të kujdesshme, që kërkoi koordinim të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve shqiptare, përfaqësive tona diplomatike dhe konsullore, si dhe autoriteteve të vendeve të përfshira.

Riatdhesimi i shtetasve shqiptarë nga zona të prekura nga konflikti është shprehje e përgjegjësisë së shtetit për mbrojtjen e qytetarëve të vet, edhe në rrethana të vështira dhe komplekse. Kthimi i tyre në atdhe përmbyll një fazë të rëndësishme të këtij procesi, por jo përgjegjësinë institucionale ndaj tyre. Pas mbërritjes në Shqipëri, shtetasve të riatdhesuar do t’u ofrohet asistenca e nevojshme dhe do të kryhen vlerësimet shëndetësore dhe psikosociale. Institucionet përgjegjëse do të vijojnë në mënyrë të koordinuar punën për akomodimin, rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre në shoqëri”, thuhet ne njoftimn e ministrise, raporton Euronews.al.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme falënderon institucionet dhe strukturat shqiptare të angazhuara në këtë proces, si dhe autoritetet e huaja, veçanërisht ato siriane, që mundësuan përfundimin e procedurave dhe tranzitin e sigurt të shtetasve. Realizimi i operacionit dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe të veprimit të bashkërenduar në përmbushjen e përgjegjësive të shtetit ndaj qytetarëve të tij.

Task-Forca ndërinstitucionale do të vijojë punën si për ndjekjen e plotë të procesit të rehabilitimit dhe riintegrimit, ashtu edhe për riatdhesimin e shtetasve të tjerë shqiptarë, sa herë që krijohen kushtet e nevojshme për kthimin e tyre të sigurt.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo