Masakër në Spanjë, katër të vrarë në një përplasje mes bandave – mes viktimave një i mitur dhe një grua shtatzënë
Masakër në Spanjë, katër të vrarë në një përplasje mes bandave – mes viktimave një i mitur dhe një grua shtatzënë
Katër persona kanë mbetur të vrarë në një sulm me armë zjarri mbrëmjen e së dielës, 16 gusht, në Isla Cristina, në provincën e Huelvës, në jug të Spanjës.
Mes viktimave janë një grua 39-vjeçare shtatzënë, foshnja 8-muajshe që mbante në bark dhe nëna e saj 62-vjeçare. Viktimë ka mbetur edhe një 16-vjeçar, i cili, sipas hetimeve paraprake, duket se nuk kishte lidhje me konfliktin.
Nga të shtënat kanë mbetur të plagosur edhe një 18-vjeçar, i cili ndodhet në spital në gjendje shumë të rëndë, si dhe një burrë tjetër, i cili ka marrë plagë të lehta.
Dy persona të maskuar – Sipas rindërtimit paraprak të Guardia Civil, ngjarja ndodhi rreth orës 22:00 në lagjen popullore El Rocio.
Dy persona të maskuar, të cilët lëviznin me motor, hapën zjarr ndaj një grupi njerëzish. Pas sulmit, autorët i vunë flakën motorit dhe e braktisën atë në një zonë me pisha pranë kampingut Giralda, përpara se të largoheshin.
Hetuesit kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë së kampingut, ndërsa autoritetet kanë forcuar kontrollet në të gjithë territorin e bashkisë, përfshirë edhe varrezat ku po përcillen viktimat.
Dyshimet – Zëvendësprefektja e Huelvës ka folur për një “hakmarrje të mundshme mes klanesh”, por hetuesit nuk kanë përjashtuar asnjë pistë.
Sipas Guardia Civil, dy gratë e vrara dyshohet se ishin vjehrra dhe motra e një personi me precedentë penalë, i njohur me pseudonimin “El Baba”. Ky i fundit dyshohet se ishte autor i një tjetër sulmi me armë në shtator të vitit 2024, në një lagje pranë Huelvës, ku një person humbi jetën dhe dy të tjerë u plagosën.
Hetuesit dyshojnë se ai sulm mund të ketë qenë pikënisja e një përplasjeje të armatosur mes klaneve, e cila tashmë ka sjellë viktima të tjera.
18-vjeçari i plagosur rëndë në sulmin e së dielës dyshohet se është nip i “El Babës”.
Që prej vitit 2024, Guardia Civil ka zhvilluar një seri kontrollesh dhe arrestimesh në Isla Cristina ndaj personave të dyshuar si pjesë e klaneve të përfshira në këtë konflikt.
Hetimi po drejtohet nga autoritetet gjyqësore dhe po zhvillohet nën sekret hetimor, ndërsa policia vijon kërkimet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të sulmit./