Thaçi kundërshton Ahmetin: Nuk ka ekzistuar dokument për ndarjen e Maqedonisë, do ta padis nëse vazhdon me këto pretendime

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi, ka hedhur poshtë deklaratat e kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, lidhur me pretendimet për ekzistimin e një dokumenti që parashikonte ndarjen e Maqedonisë informon Tetovasot.

Pas homazheve me rastin e përvjetorit të vdekjes së Arben Xhaferit, Thaçi deklaroi se një dokument i tillë nuk ka ekzistuar asnjëherë dhe se pretendimet e Ahmetit janë të pavërteta.

Sipas tij, ideja për ndarjen e Maqedonisë është promovuar në atë kohë nga persona që ai i cilësoi si “pseudoakademikë”, të cilët, sipas pretendimeve të tij, kanë qenë të instruktuar nga UDB-ja e Serbisë.

“Për ndarjen e Maqedonisë nuk ka pasur dokument. Kanë qenë disa pseudoakademikë në atë kohë, të instruktuar nga UDB-ja e Serbisë, të cilët e nxorën këtë ide. Ajo nuk ka qenë ide e Akademisë së Shkencave dhe as Arben Xhaferi nuk ka dokument, sepse nuk ekziston”, deklaroi Thaçi.

Ai shtoi se Ali Ahmeti po bën deklarata të pabazuara dhe e akuzoi se po përpiqet të shtrembërojë faktet historike.

Thaçi paralajmëroi gjithashtu se, nëse Ahmeti vazhdon të përsërisë këto pretendime, do të ndërmarrë veprime ligjore.

“E paralajmëroj edhe njëherë: nëse vazhdon të flasë kështu, do ta padis në gjyq, në emër të Arben Xhaferit, sepse një denoncim i tillë është i palejueshëm”, u shpreh kreu i PDSH-së.

Deklaratat e Thaçit vijnë pas polemikave të fundit politike të nxitura nga qëndrimet e Ali Ahmetit mbi zhvillimet historike dhe proceset politike në Maqedoninë e Veriut.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo