Ka shkuar në të paktën 74 numri i personave që kanë humbur jetën nga tërmeti i fuqishëm me magnitudë 7.4 që goditi Kolumbinë.
Lëkundjet shkaktuan dëme të mëdha materiale, me dhjetëra ndërtesa të dëmtuara ose të shembura, ndërsa ekipet e emergjencës po vazhdojnë kërkimet për persona që mund të kenë mbetur nën rrënoja.
Epiqendra e tërmetit u regjistrua pranë San José del Palmar, në departamentin Chocó, rreth 400 kilometra në perëndim të kryeqytetit Bogotá. Lëkundjet e fuqishme u ndjenë në një pjesë të madhe të vendit, duke bërë që banorët të dilnin në rrugë nga frika e shembjeve të mundshme.
Ndër zonat më të prekura janë Pereira, Manizales dhe Valle del Cauca. Në Cali janë raportuar shembje të një numri ndërtesash, ndërsa autoritetet po verifikojnë përmasat e dëmeve.
Guvernatorja e Valle del Cauca, Dilian Francisca Toro, ka bërë të ditur se në komunën Calima El Darién kanë humbur jetën edhe tre fëmijë, pasi një mur u shemb nga lëkundjet.
Autoritetet kanë paralajmëruar se mund të ketë pasgoditje dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë të kujdesshëm.
Sipas Associated Press (AP), bilanci i viktimave ka arritur në të paktën 47, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit dhe vlerësimi i dëmeve po vazhdojnë. Edhe Reuters ka raportuar për tërmetin dhe pasojat e tij.
Bilanci pritet të ndryshojë ndërsa ekipet në terren vijojnë kontrollin e zonave të prekura.