Shqipja vazhdon të ketë një prani të rëndësishme në Zvicër, ku afro 300 mijë banorë e deklarojnë atë si gjuhën e tyre kryesore.
Sipas të dhënave të Zyrës Federale të Statistikave të Zvicrës (BFS), gjithsej 292.717 persona kanë deklaruar shqipen si gjuhë kryesore. Kjo e rendit shqipen ndër gjuhët jozyrtare më të përhapura në vend, përpara portugalishtes.
Anglishtja mbetet gjuha jozyrtare me numrin më të madh të folësve në Zvicër, ndërsa shifrat për shqipen pasqyrojnë praninë e konsiderueshme të komunitetit shqiptar në vend.Sipas të dhënave, numri i madh i shqipfolësve lidhet edhe me praninë shumëvjeçare të komunitetit shqiptar në jetën ekonomike, shoqërore dhe kulturore të Zvicrës. Ruajtja e gjuhës shqipe është ndihmuar edhe nga mësimi plotësues i saj, veçanërisht te brezat e rinj të lindur dhe rritur në Zvicër.
BFS thekson se këto të dhëna bazohen në deklarimin e gjuhës kryesore dhe nuk paraqesin statistika mbi përkatësinë etnike. Megjithatë, ato tregojnë peshën që shqipja ka në peizazhin shumëgjuhësh të Zvicrës.