Mickoski: NATO dhe BE e njohin përkushtimin e Ushtrisë së Maqedonisë

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se Ushtria e Maqedonisë po merr njohje dhe mbështetje nga NATO dhe Bashkimi Evropian falë profesionalizmit dhe përkushtimit të saj informon Tetovasot.

Duke folur gjatë pranimit të një donacioni me pajisje nga Bashkimi Evropian, Mickoski falënderoi BE-në dhe ambasadorin për mbështetjen, duke theksuar se donacioni është dëshmi se Ushtria e Maqedonisë vlerësohet si një forcë cilësore dhe e besueshme brenda Aleancës së NATO-s.

Ai shprehu mirënjohje edhe për Ministrinë e Mbrojtjes, Shtabin e Përgjithshëm dhe pjesëtarët e ushtrisë për punën dhe angazhimin e tyre, duke vlerësuar demonstrimin e aftësive të ushtrisë gjatë stërvitjes së zhvilluar.

Mickoski theksoi se Qeveria mbetet e përkushtuar për të përmbushur të gjitha obligimet ndaj NATO-s dhe rikujtoi vizitën e fundit të komandantit suprem të forcave aleate të NATO-s në Evropë, Alexus G. Grynkewich, i cili, sipas tij, ka vlerësuar projektet infrastrukturore dhe nivelin e investimeve që Maqedonia e Veriut po bën në sektorin e mbrojtjes.

Sipas kryeministrit, investimet në mbrojtje kanë arritur në rreth 4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, një nivel që ai e cilësoi si sfidues për t’u ruajtur në vitet e ardhshme, por njëkohësisht prioritet strategjik i Qeverisë.

Në fund, Mickoski ritheksoi se synimi mbetet ndërtimi i një ushtrie edhe më moderne dhe konkurruese, duke falënderuar të gjithë ushtarët dhe eprorët për kontributin e tyre në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.TS

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo