Tre persona janë arrestuar në Shkup nën dyshimet se kanë shkaktuar zjarr të qëllimshëm, pasi një eskavator u dogj në një deponi të mbeturinave sekondare.
Sipas policisë, sot (2 korrik 2026), në rrugën “Magjistralja e Adriatikut” në Shkup, janë privuar nga liria Xh.Xh., A.A. dhe F.Ll., të dyshuar për veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” sipas nenit 288 të Kodit Penal.
Ngjarja është raportuar më 1 korrik, rreth orës 23:20, në Stacionin Policor Çair, ku është njoftuar se në një deponi për grumbullimin e lëndëve të para sekondare në territorin e Çairit ishte përfshirë nga flakët një eskavator.
Menjëherë pas denoncimit, policët e SPB Shkup kanë lokalizuar të dyshuarit, të cilët lëviznin me një veturë BMW me targa të Resnjës, dhe i kanë arrestuar.
Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tyre do të parashtrohet kallëzimi përkatës.