Situatë alarmante në Klinikën e Onkologjisë në Shkup, përmbytet reparti i radioterapisë, fiken aparaturat





Një situatë e jashtëzakonshme është krijuar në Klinikën e Onkologjisë në Shkup, pasi kati përdhes, ku kryhet radioterapia për pacientët me sëmundje malinje, është përmbytur, raporton portali “Shkup1”.

Drejtori i Klinikës, Igor Stojkovski, ka konfirmuar se menjëherë pas ngjarjes janë fikur të gjitha aparaturat, duke parandaluar një rrezik më të madh.

“Aparaturat u fikën me kohë,” deklaroi Stojkovski.

Sipas informacioneve në momentin e përmbytjes një paciente që po trajtohej me jod ndodhej në repart, ndërsa për shkak të ujit ishte vështirësuar nxjerrja e saj.

Drejtori theksoi se Klinika është në komunikim të vazhdueshëm me Agjencinë për Siguri nga Rrezatimi dhe se asnjë pacient nuk është i ekspozuar ndaj rrezikut.

Ndërkohë, pacientë që ndodheshin në Klinikë kanë dëshmuar se në korridore ishin vendosur batanije dhe çarçafë për të thithur ujin dhe për të sanuar gjendjen.

Sipas tyre, një pacient i shqetësuar ka reaguar ashpër dhe ka kërcënuar një pjesë të personelit për shkak të situatës së krijuar.

Përmbytja ndodhi pas motit të keq që përfshiu Shkupin, ndërsa dëmet materiale ende nuk janë bërë të ditura.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo