Kanë dalë detaje të reja lidhur me vrasjen që ndodhi mbrëmë rreth orës 23:15 në fshatin Zlipotok të komunës së Dragashit, të cilës i parapriu një përleshjeje mes disa personave.
Viktimë është një 47 vjeçar.
Sipas zëdhënësit rajonal në Prizren, Shaqir Bytyqi, patrulla policore pas marrjes së informatës ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku ka gjetur një person të shtrirë në tokë me lëndime të shkaktuara dyshohet nga një mjet i mprehtë.
Viktima, G.T., mashkull rreth 47 vjeç nga i njëjti fshat, është transportuar për ndihmë mjekësore në QKMF-në e Dragashit, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tij.
I dyshuari është identifikuar, por ndodhet ende në arrati.
“I dyshuari është identifikuar si B.H., mashkull 40-vjeçar nga Zlipotoku. I njëjti ndodhet në arrati, ndërsa që nga mbrëmja e kaluar policia është duke ndërmarrë veprime intensive për lokalizimin dhe arrestimin e tij”.
Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar njësitet relevante policore nga Stacioni Policor në Dragash, Njësia Rajonale e Hetimeve në Prizren, si dhe është njoftuar prokurori i shtetit, nën koordinimin e të cilit po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit, i cili është cilësuar si “vrasje e rëndë”, kanë thënë nga Policia e Kosovës. /Reporteri.net/