Mickoski: Fatkeqësisht ende nuk kemi sundim të ligjit, nuk jam i kënaqur me gjyqësorin, pres zbardhjen e të gjitha aferave
Qëndrimi im është se, në mënyrë sistematike, sundimi i ligjit mbetet problem në perceptimin e qytetarëve, sepse në thelb ne nuk kemi sundim të ligjit, por kemi pazare në drejtësi, për fat të keq, tha Kryeministri Hristijan Mickoski në një intervistë për Televizionin Maqedonas me rastin e dyvjetorit të mandatit të Qeverisë.
Kryeministri Mickoski theksoi se nuk është i kënaqur me sistemin gjyqësor, duke shtuar se pret zbardhjen e të gjitha aferave, pasi vetëm në këtë mënyrë qytetarët mund të fillojnë të ndryshojnë perceptimin e tyre për besimin ndaj organeve të drejtësisë.
“Tre ngjarje nga e kaluara kanë krijuar një problem të tillë, i cili ka lënë pasoja shkatërruese në sistemin e drejtësisë dhe mendoj se do t’i ndiejmë edhe për një kohë. E para është periudha kur VMRO-DPMNE ishte partia më e madhe opozitare jashtë Parlamentit, pas zgjedhjeve të vitit 1994, ose ai proces i njohur i zgjedhjes së gjyqtarëve që ndodhi gjatë qeverisjes së viteve 1994–1998. Ai ishte një proces i plotë i partizimit të sistemit gjyqësor nga ana e qeverisë së atëhershme. Problemi i dytë, për të cilin duhet të jemi të vetëdijshëm, është PSP-ja dhe të gjitha rrethanat që i paraprinë dhe pasuan krijimin e saj. Asaj i paraprinë të ashtuquajturat Marrëveshje të Përzhinës dhe negociatat e viteve 2015–2016. Si rezultat u krijua ky “implant”, si një marrëveshje dhe kompromis politik, ndërsa më pas gjithçka që pasoi ishte padrejtësi. Një qeveri tjetër e përdori atë institucion si mjet politik për të ushtruar presion ndaj kundërshtarëve politikë, atëherë opozitës, ose për të realizuar interesa personale apo politike.
Këtu nuk do e komentoj mënyrën se si ish-prokurorja speciale publike, nga burgu, praktikisht i transferoi kompetencat te Prokuroria Publike e Shtetit, e më pas ish-prokurori publik i shtetit, ose për të qenë më i saktë paraardhësi i prokurorit të kaluar, ua transferoi ato kompetenca prokurorëve që vinin nga PSP-ja tashmë e shpërbërë.
Ju kujtohet se si erdhi ajo në derë të madhe, e përkrahur me aklamacion nga bashkësia ndërkombëtare, pjesërisht edhe e financuar prej saj, me pritshmëri se nuk e di çfarë do të ndodhte, se ata njerëz të cilët treguan kapacitet mediokër do të sjellin drejtësi dhe vlera. Dhe të gjithë ne e dime se si përfundoi e gjithë kjo. Dhe për ta treguar karakterin e tyre të ngushtë, mbeten edhe ato bunuset që sot e kësaj dite mbetën të pazbardhura.
Por kjo nuk do të mbetet kështu dhe tani të ndërlidhem në pritshmëritë e mia ndaj Prokurorit aktual Publik, pasi të kalojnë 100 ditët, të cilat secili duhet t’i ketë për t’u aklimatizuar, për t’u njohur me mjedisin e punës dhe me rrethana të ngjashme, pres që të gjitha këto çështje për të cilat sapo fola të zbardhen dhe të bëhen publike. Atëherë opinioni do të mund të fillojë të mendojë për ndryshimin e perceptimit, sepse nëse ato mbeten të pazbardhura dhe të pazgjidhura, kam frikë se gjendja do të jetë edhe më e keqe dhe besimi i qytetarëve ndaj këtyre institucioneve do të jetë edhe më i ulët”, deklaroi Mickoski.