BE-ja hap rrugën për euron digjitale si përgjigje ndaj dominimit të kartelave amerikane të pagesave

​Euroja digjitale u bë një çështje aktuale pasi Donald Trump vendosi tarifa ndaj BE-së dhe rriti frikën se SHBA-ja një ditë mund të përdorë dominimin e saj mbi rrjetet e pagesave si Visa dhe Mastercard.

​Banka Qendrore Evropiane ka siguruar mbështetje kyçe parlamentare për lansimin e euros digjitale, një mjet elektronik pagese që synon ta bëjë eurozonën më pak të varur nga kartelat amerikane të kreditit në një kohë të tensionimit të marrëdhënieve transatlantike.

​Euroja digjitale, në thelb një portofol elektronik i garantuar nga banka qendrore, por i plasuar në treg nga bankat ose kompanitë fintech, do t’u mundësojë të gjithë banorëve të eurozonës të kryejnë pagesa online dhe personalisht.

​Me gjashtë vjet në përgatitje, paraja digjitale e BQE-së u bë një çështje më urgjente pasi Donald Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë, duke vendosur tarifa edhe ndaj partnerëve tregtarë të konsoliduar si Bashkimi Evropian dhe duke rritur frikën se SHBA-ja një ditë mund të përdorë dominimin e saj mbi rrjetet e pagesave si Visa dhe Mastercard.

​Miratimi i draft-rregullave nga komiteti ekonomik i Parlamentit Evropian vjen pas tre vjetësh mosmarrëveshjesh midis BQE-së dhe bankave, të cilat ishin të shqetësuara për ikjen e depozitave dhe humbjen e të dhënave, si dhe u përpoqën të kufizonin fushëveprimin e projektit.

​„Futja e euros digjitale do të zvogëlonte varësinë e tepërt nga ofruesit joevropianë të shërbimeve duke u bërë një mjet pagese mbarëevropian dhe do ta fuste monedhën e vetme në epokën digjitale duke u dhënë qytetarëve të Unionit lirinë për të zgjedhur të paguajnë me para të bankës qendrore në transaksionet e tyre të përditshme“, thuhet në draft-rregullore.
​Siegbert Frank Droese nga grupi i ekstremit të djathtë Evropa e Kombeve Sovrane, një grup politik në Parlamentin Evropian, tha se grupi i tij votoi kundër propozimit, duke rritur gjasat që të kërkohet një votim shtesë në seancën plenare të Parlamentit.
​Nëse nuk ka kundërshtime në seancën plenare, deputetët pritet të nisin negociatat me Këshillin Evropian të qeverive të BE-së dhe Komisionin Evropian muajin e ardhshëm, me synimin për një miratim përfundimtar deri në fund të vitit.
​BQE-ja, e cila planifikon të kryejë një projekt pilot 12-mujor të euros digjitale duke filluar nga gjysma e dytë e vitit të ardhshëm përpara lansimit të plotë në vitin 2029, tha se pret me padurim që Parlamenti të miratojë qëndrimin e tij përfundimtar.
​Jashtë eurozonës, Kina po piloton juanin digjital në shkallë të gjerë, ndërsa vende si India dhe Brazili kanë kryer prova. Britania e Madhe është fokusuar në kërkime, për shkak të shqetësimeve për privatësinë, stabilitetin financiar dhe ndikimin në sektorin bankar, ndërsa presidenti amerikan Trump i ka ndaluar Rezervës Federale të emetojë një monedhë digjitale.
​Ashtu si Këshilli Evropian para tij, Parlamenti i BE-së ka vendosur masa mbrojtëse kyçe për bankat që i frikësohen ikjes së depozitave.

​Deputetët propozuan në draft-rregullore që Komisioni Evropian të vendosë se sa euro digjitale mund të mbajë çdo përdorues, bazuar në një rekomandim të BQE-së, dhe ta rishikojë këtë kufi të paktën çdo dy vjet.
​Bizneset nuk do të lejohen të mbajnë euro digjitale për më shumë se 24 orë. Euroja digjitale nuk do të sjellë asnjë interes dhe nuk do t’u kushtojë asgjë përdoruesve të saj.

​„Propozimi pasqyron kompromise politike“, tha Laura Casonato, udhëheqëse e politikave në Positive Money Europe, një grup avokimi për reformën monetare. „Ai i mban bankat komerciale në qendër të shpërndarjes, me vetëm një rol të kufizuar për kanalet publike dhe ofruesit e tjerë të shërbimeve, dhe nuk shkon aq larg sa ta paraqesë euron digjitale si një alternativë të vërtetë ndaj depozitave bankare.“

​Lëshime të tilla me gjasë ishin vendimtare për të fituar mbështetjen e kritikëve si Fernando Navarrete Rojas, negociatori i parlamentit për këtë dosje, i cili së fundmi hoqi dorë nga kundërshtimi i tij ndaj disponueshmërisë së euros digjitale përmes internetit.

​Simulimet e BQE-së tregojnë se kursimtarët mund të tërheqin deri në 699 miliardë euro nga bankat e eurozonës nëse kufiri për mbajtjen e euros digjitale vendoset në 3.000 euro për secilin. Kjo është e barabartë me 8,2% të të gjitha depozitave me pakicë të parashikueshme, megjithëse ndikimi do të ishte më i madh për kreditorët e vegjël në treg dhe bankat e pakicës.

Go+ Energy Drink

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo