Perinski: Nga politika e zgjidhjeve ad-hoc drejt ndryshimeve sistematike, po ndërtohen themelet për komuna të zhvilluara
Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zlatko Perinski, deklaroi se gjatë dy viteve të fundit është ndryshuar qasja ndaj zhvillimit lokal dhe rajonal, duke kaluar nga menaxhimi i pasojave drejt zgjidhjes së shkaqeve të problemeve me të cilat përballen komunat informon Tetovasot.
Duke prezantuar rezultatet e punës së Ministrisë, Perinski theksoi se investimet më të mëdha janë realizuar përmes ciklit investues për mbështetjen e komunave, ku në kuadër të dy thirrjeve publike janë miratuar gjithsej 1.116 projekte infrastrukturore me vlerë prej 18,4 miliardë denarësh.
“Kjo është paketa më e madhe investuese për komunat në historinë më të re të Maqedonisë. Këto nuk janë vetëm shifra, por rrugë të reja, ujësjellës, kanalizime, shkolla dhe çerdhe të rikonstruktuara, objekte publike me efikasitet energjetik dhe kushte më të mira jetese për qytetarët”, deklaroi Perinski.
Ai njoftoi se për herë të parë është krijuar një Qendër Burimore për mbështetjen e komunave, përmes së cilës është formuar një bazë ekspertësh, janë përgatitur udhëzues praktikë për administratën lokale dhe janë hartuar profile për secilën komunë në vend.
Sipas ministrit, një nga masat më të rëndësishme ka qenë përditësimi i bazave të të dhënave të tatimpaguesve në të gjitha komunat, me qëllim forcimin e stabilitetit financiar dhe rritjen e të ardhurave vetanake të pushtetit lokal.
Në aspektin e reformave ligjore, Perinski bëri të ditur se është përgatitur reforma më e madhe e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale në më shumë se dy dekada, e cila synon të përmirësojë demokracinë lokale, transparencën, digjitalizimin, pjesëmarrjen qytetare dhe planifikimin urbanistik.
Ai shtoi se po punohet edhe për reformimin e Ligjit për Bashkëpunim Ndërkomunal, me qëllim shfrytëzimin më efikas të burimeve dhe ofrimin e shërbimeve më cilësore për qytetarët.
Në fushën e zhvillimit rajonal, ministri njoftoi se gjatë periudhës 2024–2026 janë mbështetur 185 projekte me vlerë mbi 489 milionë denarë, ndërsa përmes programeve IPA III po zbatohen 39 projekte të bashkëpunimit ndërkufitar me Greqinë, Bullgarinë dhe Shqipërinë, me vlerë mbi 21 milionë euro për përfituesit nga Maqedonia e Veriut.
“Arritja më e madhe nuk janë vetëm shifrat, por ndryshimi i qasjes. Nga politika e zgjidhjeve ad-hoc kemi kaluar në politika të ndryshimeve sistematike. Maqedonia po ecën përpara me synimin që të mos menaxhojë pasojat, por të zgjidhë shkaqet e problemeve”, theksoi Perinski.
Sipas tij, rezultatet e deritanishme krijojnë bazë të fortë për komuna financiarisht të qëndrueshme, zhvillim rajonal të balancuar dhe shërbime më cilësore për qytetarët në të gjitha rajonet e vendit.TS