Një sulm ajror izraelit në Gaza ka vrarë djalin e Khalil Al-Hayya, një nga figurat kryesore të Hamasit dhe negociator në bisedimet për armëpushimin me Izraelin.
Sipas zyrtarëve të Hamasit, Azzam Al-Hayya humbi jetën nga plagët e marra pas bombardimit të kryer mbrëmjen e kaluar. Ai është djali i katërt i Khalil Al-Hayya që vritet gjatë luftës në Gaza.
Ngjarja ndodhi në një moment kur drejtuesit e Hamasit po zhvillojnë takime në Kajro për negociatat e ndërmjetësuara nga SHBA-ja mbi të ardhmen e Gazës dhe ruajtjen e armëpushimit.
Ndërkohë, autoritetet shëndetësore në Gaza raportuan edhe për një tjetër sulm izraelit ndaj një poste policie në pjesën perëndimore të qytetit të Gazës.
Sipas tyre, të paktën tre efektivë policie humbën jetën dhe disa persona të tjerë mbetën të plagosur.
Ushtria izraelite bëri të ditur se objektivi i sulmit ishte një qendër komande e Hamasit në veri të Gazës, ku sipas saj ndodheshin militantë që po planifikonin sulme kundër forcave dhe civilëve izraelitë.
Sipas raportimeve ndërkombëtare, Izraeli ka shtuar goditjet ndaj strukturave të policisë së Hamasit në Gaza, duke pretenduar se ato përdoren nga grupi militant për të forcuar kontrollin në territor.