(Vështrim mbi romanin më të ri “Misteret e Hamamit” të autorit tetovar, Ismail Arsllani)
MERXHAN JAKUPI
Në romanin më të ri “Misteret e Hamamit” të shkrimtarit tetovar Ismail Arsllani, që doli këto ditë nga shtypi, pas tre romaneve të tij të mëparshëm, vendlindja e tij paraqitet si një statujë e gdhendur në hapësirën e një kasabaje osmane të shekullit XIX, ku struktura hapësinore dhe jeta e personazheve shndërrohen në simbole të ndërliqshme të fatit, të historisë dhe të dilemave identitare e shpirtërore. Në këtë vepër, autori bën përpjekje që të ngjiz një botë që shfaqet, njëkohësisht, si reale dhe metafizike, ku Ura, Hamami dhe Kasabaja nuk janë vetëm sfond urban, por edhe si arkitekturë e brendshme e kujtesës kolektive dhe individuale.
Ura, si element letrar, bart ngarkesën e lidhjes dhe ndarjes: ajo përfaqëson kalimin, tejkalimin e kufijve dhe përplasjen mes botëve të ndryshme kulturore e psikike. Hamami, përkundrazi, shfaqet si një hapësirë rituale e larjes dhe pastrimit, por në thelb mbetet vend i misterit, i nxehtësisë që përzien epshin me fshehtësinë, trupin me shpirtin, të shkuarën me të tashmen. Kasabaja osmane është trualli ku zihen këto kundërthënie – një botë në kufijtë e qytetërimit e të prapambetjes, ku përditshmëria rrëshqet lehtë drejt metaforës.
Në këtë kornizë të pasur, personazhet kryesorë marrin trajtën e figurave të ndërlikuara, secili i shënuar nga drama të pashmangshme. Bahri Beu, i vendosur mes traditës feudale dhe tundimit për t’i shpëtuar kohës që po i ikën nga duart, është një figurë ku përplasen krenaria dhe rënia. Agsha, e bija, mban mbi vete plagë të thella psikike: deri në moshën dymbëdhjetë vjeç u trajtua si mashkull, e maskuar nga vetë prindërit, dhe kjo ngatërresë identitare i la hije të rënda në botën e brendshme. Trauma e saj rrezaton në raportet e dashurisë dhe të vetëpranimit.
Rrudi, vëllai i saj, kleptoman dhe kërkues i thesareve të fshehura të arit, mishëron obsesionin e humbjes dhe të etjes për pasuri të shpejtë, duke i dhënë romanit një shije groteske dhe një dimension të realitetit absurd. Dardani, dashnori i fshehtë dhe i sinqertë i Agshës, është figura e pasionit dhe e përkushtimit, por edhe e humbjes në kufijtë e tragjikes, ndërsa Augusti, studenti grek në Stamboll, mishëron tensionin mes dashurisë dhe paragjykimit etnik, duke e vendosur Agshën në qendër të një trekëndëshi emocional dhe shoqëror, ku ndjenja përplaset me kufizimin.
Romani rrjedh mbi një arkitekturë të shtrirë në disa nivele: rrëfimi historik që dokumenton një kohë e një shoqëri në transformim; rrëfimi intim që shpon plagët e shpirtit individual; dhe dimensioni alegorik që i flet lexuesit për fatin e kombit, për kufizimet e shoqërisë dhe për mundësitë e mbijetesës shpirtërore. Kjo shumësi shtresash i jep romanit jo vetëm gjerësi panoramike, por edhe një thellësi introspektive.
Në thelb, romani “Misteret e Hamamit” i autorit Ismail Arsllani pretendon të jetë një rrëfim për kërkimin e identitetit dhe për plagët që mbartin gjeneratat. Është roman për dashuri të pamundura, për kufij të brendshëm dhe të jashtëm, për ndarje që duhen kapërcyer. Por mbi të gjitha është roman për misterin e jetës, për fshehtësitë që mbeten të pashpjegueshme.
Ky roman, në fakt është një udhëtim letrar, sa real aq edhe fiktiv; është një udhëtim në errësirën dhe dritën e shpirtit njerëzor, por edhe një testament i një epoke që përfundon, duke lënë pas mistere që vetëm arti i fjalës mund t’i ruajë të gjalla.