Të shtëna me armë në një bar në Teksas, 3 të vdekur dhe 14 të plagosur

Të paktën tre persona kanë mbetur të vrarë dhe 14 të tjerë u plagosën këtë të dielë, pas të shtënave me armë në një bar në qytetin Austin, në Teksas.

Duke folur në një konferencë për shtyp në orët e para të mëngjesit, Shefja e Policisë së qytetit, Lisa Davis, tha se policia mori raportime për një “burrë që po qëllonte në Buford’s Backyard Beer Garden,” një bar i njohur në zonën e argëtimit të qytetit.

Kur policia mbërriti në vendngjarje, Davis tha se ata u përballën me një burrë të armatosur dhe “hapën zjarr, duke vrarë të dyshuarin.”

Motivi i këtij incidenti nuk dihet ende.

Shefi i Shërbimeve të Urgjencës të Austin (EMS), Robert Luckritz, tha se tre persona u gjetën të vdekur në vendngjarje. 14 të plagosur të tjerë u dërguan në spitalet lokale. Nga të plagosurit, Luckritz tha se tre ishin në gjendje kritike.

“Ne morëm një telefonatë në orën 1:39 të mëngjesit (sipas orës lokale) dhe brenda 57 sekondash, mjekët e ndihmës së shpejtë dhe oficerët e parë ishin në vend duke trajtuar pacientët,” shtoi Luckritz.

Policia tha se ka një prani të madhe të forcave të saj në lagjen e festave dhe arriti të dërgojë shpejt oficerë në vendngjarje ndërsa baret në zonë po mbylleshin.

Kryetari i Bashkisë së Austin, Kirk Watson, vlerësoi reagimin e shpejtë, duke thënë: “Jam shumë mirënjohës për shpejtësinë me të cilën zyrtarët tanë të sigurisë publike reaguan ndaj kësaj. Nuk mendoj se ka dyshim që kjo shpëtoi jetë.”

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo