Osmani për Nexhat Dacin: Asnjëherë nuk pranoi kompromise në dëm të Kosovës, mendje akademike e pashoq





Kuvendi i Kosovës është mbledhur për akademi përkujtimore për ish-kryeparlamentarin Nexhat Daci.

Paraprakisht në hollin e Kuvendit janë mbajtur homazhe në nderim të Dacit.

Presidentja Vjosa Osmani tha se sot nuk po i jepet lamtumira vetëm një njeriu, por një epoke të maturisë, dijes dhe përgjegjësisë.

“Jemi mbledhur për t’ia dhënë lamtumirën akademik Nexhat Dacit, burrështetas, intelektual i shquar. Ai i shërbeu Kosovës si kryetar i Kuvendit, ushtrues detyre i Presidentit, akademik dhe deputet, duke lënë gjurmë të pashlyeshme. Në periudha të vështira, ai u rreshtua në shërbim të kauzës për liri dhe pavarësi, duke qenë bashkëpunëtor i dr. Ibrahim Rugovës. Si kryetar Kuvendi, ai kuptonte se demokracia nuk është vetëm procedurë, por edhe kulturë. Ai besonte në dialog, ligj dhe argument. Nuk pranoi kurrë kompromise në dëm të Kosovës. Nexhat Daci nuk ishte vetëm burrështetas, por edhe një njeri i dijes,” tha Osmani.

Në Akademinë Përkujtimore, për nder të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, po marrin pjesë krerët e shtetit, liderët e parive politike, pjesëtarë dhe miq të familjes Daci dhe shumë personalitet të tjera. /Reporteri.net/