Kur fama shkatërron qetësinë, kush janë fshatrat evropiane që po “mbyten” nga turizmi masiv

Rrugë të bllokuara, atraksione të shndërruara në “Disneyland” dhe humbje e identitetit lokal, këto janë disa nga pasojat që po përjetojnë fshatra të vegjël evropianë, të cilët janë bërë të famshëm falë rrjeteve sociale.

Qoftë si vende xhirimi për filma e seriale, apo si destinacione të njohura për ushqimin tradicional, këto fshatra po përballen me një fluks turistësh që po i vë nën presion të madh. Shembujt e qyteteve të mbingarkuara nga turizmi si Venecia, Dubrovniku dhe Barcelona kanë shtyrë vendasit të reagojnë me protesta kundër turizmit masiv, ndërsa autoritetet kanë nisur të vendosin kufizime për vizitorët.

Por cilat janë fshatrat evropiane që po e vuajnë më shumë këtë fenomen?

Hallstatt, Austri
Pjesë e peizazhit kulturor Hallstatt–Dachstein/Salzkammergut, i mbrojtur nga UNESCO, ky fshat alpin është i njohur për bukurinë e tij natyrore dhe historinë mijëravjeçare të minierave të kripës. I konsideruar gjerësisht si frymëzimi për mbretërinë e Arendelle në filmin Frozen, Hallstatt sot vizitohet nga mijëra fansa të Disney-t.

Me vetëm 700–800 banorë, fshati përballet me deri në 10 mijë turistë në ditë. Shumë prej tyre vijnë vetëm për të bërë foto për rrjetet sociale, pa qëndruar gjatë apo pa kontribuar realisht në ekonominë lokale.

Autobusë të shumtë turistikë dhe makina kanë bllokuar rrugicat e ngushta, duke sjellë zhurmë, kaos dhe ndërprerje të jetës së përditshme. Banorët ankohen për shkelje të privatësisë, hyrje pa leje në prona private dhe mosrespektim të rregullave të qetësisë.

Si reagim, janë organizuar protesta, janë vendosur barriera në pikat e vrojtimit dhe janë kufizuar automjetet turistike. Megjithatë, fluksi i vizitorëve vazhdon të mbetet i lartë.

Mont-Saint-Michel, Francë
Një tjetër Vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ky ishull historik në Normandi është shndërruar në një magnet turistik, sidomos pas promovimit në rrjete sociale dhe seriale si Lupin. Çdo vit, rreth 3 milionë vizitorë kalojnë nëpër rrugët e tij mesjetare.

Kjo ka sjellë mbipopullim, mbingarkesë të infrastrukturës dhe një përvojë gjithnjë e më pak autentike për vizitorët. Dyqanet e shumta të suvenireve, radhët e gjata dhe turmat e mëdha e bëjnë vendin të ngjajë më shumë me një park tematik sesa me një monument historik.

Autoritetet po shqyrtojnë sisteme rezervimi, kufizime të vizitorëve dhe turnika, ndërsa turistët inkurajohen të vizitojnë jashtë orareve të pikut ose gjatë sezoneve më të qeta.

Kinderdijk, Holandë
I famshëm për mullinjtë e erës të shekullit XVIII, fshati Kinderdijk ka vetëm 60 banorë të përhershëm, por pret rreth 600 mijë vizitorë në vit, kryesisht nga anije turistike.

Vendasit ankohen për sjellje të pahijshme të turistëve, përfshirë hyrjen në kopshte private dhe trajtimin e shtëpive si dekor për Instagram. Kjo dëmton jetën e përditshme, infrastrukturën dhe autenticitetin e fshatit.

Megjithëse janë vendosur ndalime për autobusët turistikë, gjoba më të larta dhe kufizime për përdorimin e dronëve, fshati mbetet i varur nga të ardhurat e turizmit për mirëmbajtjen e mullinjve historikë – duke krijuar një dilemë mes ruajtjes dhe mbingarkesës.

Pienza, Itali
Ky fshat toskan, i njohur për planifikimin urban të Rilindjes dhe djathin pecorino, po përballet me një fluks të madh turistësh ditorë. Dyqanet tradicionale po zëvendësohen nga suvenire dhe produkte turistike, ndërsa restorantet po përshtatin menutë për shijet e vizitorëve, duke zbehur kuzhinën autentike lokale.

Një nga pasojat më simbolike të mbiturizmit është heshtja e kambanores historike gjatë natës, pas ankesave të shumta për zhurmë – kryesisht nga turistët.

Ndryshe nga Venecia apo Roma, Pienza ende nuk ka vendosur masa të forta për kufizimin e turizmit.

Goathland, Angli
Fshati Goathland në Yorkshire të Veriut u bë i famshëm si vend xhirimi për seriale dhe filma si Heartbeat dhe Harry Potter. Stacioni i trenit, i përdorur si Hogsmeade, vazhdon të tërheqë vizitorë edhe vite pas publikimit të filmave.

Rritja e interesit për një serial të ri të HBO-së ka shtuar edhe më shumë fluksin, duke sjellë rrugë të mbingarkuara, parkime të paligjshme, mbeturina dhe presion mbi hapësirat publike.

Megjithëse nuk ka masa specifike për Goathland, autoritetet rajonale po zbatojnë plane për menaxhim më të qëndrueshëm të turizmit në të gjithë zonën.