Kurti shpreh ngushëllime për vdekjen e Shemit: Kur ikën një artist i tillë, pikëllimi është mbarëkombëtar
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar për vdekjen e këngëtarit Shemi nga grupi “Ilirët”.
Kurti i ka shprehur ngushëllime familjes, duke nderuar figurën e Shemit, si një zë që do të dëgjohet përherë.
I njëjti vdiq në moshën 64-vjeçare, ndërsa u gjet pa shenja jete në banesën e tij në Prishtinë.
Postimi i plotë i Kurtit
“Sot u nda nga jeta Shemsi Krasniqi – Shemi, një zë që ka hyrë në shtëpitë tona pa trokitur.
Si vokalist i “Ilirëve”, ai i dha fytyrë një etape të rëndësishme të muzikës sonë dhe i dha publikun një mënyrë për ta ndjerë veten bashkë, edhe kur ishim larg.
Me interpretimin e tij, kënga u bë kujtesë dhe kujtesa u bë këngë; “Xhamadani vija-vija” u dëgjua e u këndua si shenjë identiteti dhe bashkimi për shqiptarët kudo.
Në këto çaste, e kuptojmë edhe më shumë se sa rrallë lindin zëra që nuk janë vetëm art, por janë gjuhë e përbashkët emocioni shpirtëror.
Ngushëllimet më të sinqerta për familjen e tij, për dhimbjen e humbjes.
Ngushëllime për miqtë, bashkëpunëtorët dhe për gjithë publikun që e deshi, sepse kur ikën një artist i tillë, pikëllimi është mbarëkombëtar.
Të gjithë ne ta nderojmë me respektin që i takon, duke e mbajtur gjallë në kujtim dhe në mirënjohje.
Disa zëra nuk mbarojnë me një lajm, ata vazhdojnë sa herë që një këngë ngrihet si flamur në zemër.
Ashtu do të dëgjohet përherë Shemi jonë, xhamadan i këngës e shpirtit.
U prehtë në paqe. I lehtë i qoftë dheu”.