Personaliteti i “xhindosur” dhe përgjegjësia publike

Çdo udhëheqës që nuk është në paqe me vetveten rrezikon të lëndojë shoqërinë. Heshtja e atyre që e rrethojnë e bën rrezikun edhe më të madh. Përgjegjësia publike nuk mund të mbetet e heshtur

Nga Mr. Eset Shaqiri, teolog

Në çdo shoqëri, ekziston një pritshmëri e heshtur por e fuqishme ndaj atyre që zënë pozita udhëheqëse: qëndrueshmëri, maturi, ekuilibër emocional dhe aftësia për të menaxhuar tensionin pa u bërë rrezik për të tjerët. Por çfarë ndodh kur një individ, i cili nuk është në paqe me vetveten, shfaq simptoma të një personaliteti të xhindosur, deri në ato pika kur edhe akti i lutjes përbën një skenë të pasigurt dhe të pakontrollueshme? Ky nuk është thjesht një fenomen i çuditshëm apo ekscentrik, është një alarm i qartë që prek jo vetëm jetën private të individit, por edhe komunitetin që ai drejton.
Këtë ditë në Maqedoninë e Veriut qëndroi për vizitë disaditëshe Imami i Qabes, i cili, veç të tjerash vizitoi disa qytete dhe disa xhami ku iu priu xhemateve përgjatë faljes së namazeve. Në këto lutje të përbashkëta Imami shoqërohej edhe nga drejtuesi i Institucionit të BFI-së, Shaqir Fetai. Kamerat televizive gjatë ritualeve fetare disa herë u përqendrua tek Fetai, dhe qytetarët vunë re sjellje të pazakonta dhe shqetësuese: shenja të nervozizmit të tepruar, shpërqendrime gjatë lutjeve dhe manifestime që ngjajnë me ato të një personi të xhindosur, të mbingarkuar psikologjikisht ose të prekur nga varësitë. Reagimet e opinionit publik ishin të menjëhershme, me mijëra komente që shpreheshin shqetësim për aftësinë e tij për të udhëhequr institucionin dhe për t’u përballur me përgjegjësi publike. Vëzhgimet e bëra treguan një mungesë të stabilitetit emocional dhe një paaftësi për të përballuar situatat delikate të një shoqërie të ndjeshme ndaj sjelljeve të tilla, sidomos në kontekstin e lutjeve dhe namazeve të përbashkëta.
Manifestimet psikike të një individi mund të jenë të shumëllojshme: nga shpërthime të papritura emocionale, paranoja, fiksime obsesive deri tek sjellje impulsive dhe agresive. Kur këto simptome nuk mbeten brenda mureve private, por hyjnë në sferën publike, në vendimet që ndikojnë mbi të tjerët, ato bëhen një problem serioz shoqëror dhe ligjor.
Një lider që nuk kontrollon vetveten, apo një drejtues kolektivi që nuk di të menaxhojë tensionet e brendshme, mund të vendosë tërë grupin në situata të rrezikshme, të dëmtojë organizatën dhe të cënojë besimin e publikut. Në këtë kontekst, pyetja nuk është më thjesht morale, por edhe juridike: a mund të lejojmë që një individ i sëmurë psiqikisht (i xhindosur) të ketë përgjegjësi ekzekutive mbi të tjerët? Dëshmitarë të sjelljeve të çuditshme dhe shqetësuese të Shaqir Fetait gjatë namazeve ishin jo vetëm qytetarët, por edhe anëtarët e Rijasetit, imamët, hoxhallarët, mësuesit dhe profesorët e vendit. Megjithatë, çuditërisht, të gjithë heshtën. Kjo heshtje ngre një pyetje të rëndësishme: pse një grup kaq i madh njerëzish me autoritet dhe përgjegjësi teologjike e morale nuk reagoi? A është frikë, konformizëm, indiferencë apo një mungesë e qartë e mekanizmave që detyrojnë reagim ndaj sjelljeve shqetësuese të udhëheqësve? Kjo heshtje e kolektivizuar e bën fenomenin edhe më të rrezikshëm, duke treguar se jo vetëm individi, por edhe sistemi që e rrethon mund të jetë i paaftë për t’u përballur me situata kritike.
Shoqëritë e civilizuara kanë rregulla të qarta për këtë. Në shumicën e vendeve, ekzistojnë mekanizma të parashikuar ligjërisht: ekspertiza mjeko-psikiatrike, procedurat e vlerësimit të aftësive për ushtrimin e funksioneve publike, dhe organet shtetërore, të besueshme, që mund të ndërhyjnë për të mbrojtur interesin publik. Për shembull, ligji parashikon që çdo person i cili evidentohet si i paaftë për të ushtruar funksione për shkak të problemeve të shëndetit mendor që shfaqen sakaq, mund të hiqet nga pozita apo të kufizohet në kompetenca. Në raste të rënda, kjo nënkupton ndërhyrjen e organeve të drejtësisë, ministrive përkatëse dhe, madje edhe kur bëhet fjalë për organizata private që kanë përgjegjësinë ligjore dhe morale.
Por sfida reale nuk është thjesht ligjore, ajo është shoqërore dhe kulturore. Shpesh, individë të tillë vazhdojnë të qëndrojnë në pozita të larta për shkak të përkrahjes politike, simpative personale, por edhe për shkak mungesës së institucioneve që reagojnë në kohë, apo për shkak se disa institucioneve shtetërore u duhet një njeri i tillë problematik. Çdo vonesë mund të ketë pasoja të rënda: vendimmarrje arbitrare, dëm moral dhe material për kolektivin, dhe krijimin e një atmosfere të padurueshme për bashkëpunëtorët. Kjo është arsyeja pse shoqëritë e zhvilluara nuk e lënë këtë problem pa reagim: ekzistojnë komisione të brendshme, ekzaminime periodike të shëndetit dhe standarde të qarta etike për personelin drejtues.
Në mënyrë më të thjeshtë, nuk është çështje paragjykimi apo diskriminimi, por është çështje mbrojtjeje publike. Çdo person që manifeston sjellje të pakontrollueshme, që tregon shenja të rënda të destabilitetit emocional apo sjellje si ato të një individi që është nën ndikimin e rëndë të alkoolit e substancave të tjera, duhet të vlerësohet dhe, nëse situata e kërkon, të largohen nga pozitat e përgjegjësisë. Mosveprimi nuk është tolerancë, por rrezik sistemik. Përtej ligjit, kjo është një detyrë morale: të mbrosh të tjerët nga një udhëheqës që nuk është në gjendje të menaxhojë vetveten.
Në fund, kjo problematikë ngre edhe pyetje më të thella filozofike: çfarë do të thotë udhëheqja? A mund të ketë autoritet ai që nuk ka autoritet mbi vetveten? A mund të krijojë besim dhe siguri dikush që e ka humbur qetësinë e brendshme, që është “xhindosur”? Shoqëritë që i përgjigjen këtyre pyetjeve me seriozitet janë ato ku institucionet funksionojnë, ku kontrolli mbi pushtetin nuk është luks, dhe ku shëndeti mendor i individit nuk është një çështje private, por një komponent qartësisht publik i përgjegjësisë.