Çollaku ngrit dyshimet për fabrikën e municioneve në Kosovë: Gjithmonë para zgjedhjeve…

Është konfirmuar se fabrika e parë e municioneve në Kosovë do të ndërtohet në Jahoc të Gjakovës, derisa prodhimi i parë parashihet të dalë në fund të vitit 2026.

Kjo u diskutua në edicionin e sotëm të “Kosova Today”, ku Korab Balakaj tha se pavarësisht se është veprim i vonuar, është jashtëzakonisht i nevojshëm për vendin tonë, transmeton Klankosova.tv.

“Ata që kanë qenë skeptikë, tashmë do të binden, Kosova do ta ndërtojë industrinë e saj ushtarake. Është një zhvillim i mirë, jashtëzakonisht i nevojshëm, i vonuar gjithsesi”, u shpreh Blakaj.

Sipas tij, Kosova duhet të orientohet në industri ushtarake të vërtetë.

Nga ana tjetër, eksperti i sigurisë, Arben Dashevci tha se ka qenë optimist qysh nga viti 2021 që një fabrikë e tillë do të ndërtohej në Kosovë.

“Qysh prej vitit 2021 që e kam thënë pa ndërprerë, sepse kam besuar, që Republika e Kosova, organet tona të sigurisë, FSK, do t’i plotësojë ato kushte deri më 2028. Ky është aj hapi i shumëpritur, dhe është vazhda i asaj që duhet të plotësohet”, tha Dashevci.

Ndërkohë, njohësi i këtyre çështjeve, Esat Çollaku, ngrit dyshimet që këto veprime po bëhen gjithmonë afër zgjedhjeve.

“Kur flasim për fabrikën e municioneve, ju e dini mirë që e kam përkrahur, por kam kërkuar diçka më tepër, a do të jetë vetëm franshize e prodhimit, apo Kosova do të prodhojë edhe ato pajisje që do t’i merr me kredi. Ajo që mua më shqetëson shumë, është që këto po ndodhin gjithmonë para zgjedhjeve. Në realitet ne akoma nuk kemi asnjë plan të realizueshëm”, tha Çollaku.