Bedri Hamza kërkon largimin e sanksioneve, ia përmend BE-së edhe Gjykatën Speciale

Në një letër drejtuar Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka kërkuar heqjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të masave të BE-së ndaj Kosovës, duke argumentuar se Kosova ka përmbushur çdo standard demokratik dhe ka bërë sakrifica të mëdha për integrimin europian.

Hamza thekson se Kosova ka organizuar tri procese zgjedhore brenda një viti, duke theksuar se ato kanë qenë “demokratike, transparente dhe paqësore”, pavarësisht bllokadës së mëvonshme në formimin e qeverisë.

Sipas tij, kjo tregon “pjekurinë e demokracisë së Kosovës”, ndërsa vazhdimi i masave është bërë “i paarsyeshëm dhe i padrejtë”, transmeton Klankosova.tv.

Në këtë letër, Hamza i kujton BE-së edhe çmimin që Kosova ka paguar në arenën ndërkombëtare, duke përfshirë themelimin e Dhomave të Specializuara.

“Parlamenti i Kosovës themeloi Dhomat e Specializuara, një kërkesë e imponuar vetëm mbi Kosovën, të cilat fatkeqësisht janë shndërruar në një instrument monoetnik”, shkruan ai, duke theksuar se vetëm udhëheqësit e gjeneratës themeluese të shtetit janë gjykuar deri më tani.

Hamza shprehet se Kosova “ka paguar një çmim të lartë për t’u çliruar, për t’u bërë shtet i pavarur dhe për t’u zhvilluar në një republikë demokratike që respekton obligimet ndërkombëtare”.

Ai i kërkon BE-së që ta trajtojë Kosovën si vendet e tjera të rajonit dhe të mos e privojë më nga “mjetet, mundësitë dhe mbështetja e nevojshme për ecjen drejt BE-së dhe NATO-s”.

Hamza përmbyll kërkesën me një thirrje të qartë politike.

“Kërkoj heqjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të të gjitha masave të BE-së ndaj Kosovës”, duke shtuar se një vendim i tillë do të ishte sinjal i drejtpërdrejtë për qytetarët se përpjekjet e tyre demokratike po njihen dhe po mbështeten.