Në Shqipëri 4.6 miliardë euro qarkullojnë jashtë bankave, Sejko paralajmëron rreziqet nga rritja e parasë në dorë
Në Shqipëri po rritet volumi i parasë që qarkullon jashtë bankave.
Raportet tregojnë se gjatë këtij viti biznesi dhe qytetarët qarkulluan jashtë sistemit bankar afro 4.6 miliardë euro.
Por Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me institucionet financiare, po punon për marrjen e masave për minimizimin e këtij fenomeni. Guvernatori Gent Sejko thotë se një nga prioritetet është digjitalizimi i pagesave.
“Në Bankën e Shqipërisë, transferimi digjital është kthyer në një objektiv strategjik. Për qytetarët dhe bizneset, integrimi në SEPA përkthehet në pagesa më të shpejta drejtë Europës, kosto më të ulëta, standarde të larta sigurie dhe më shumë mundësi për tregti, investime dhe shërbime digjitale. Po punojmë me partnerët ndërkombëtar për modernizimi e sistemeve të pagesave brenda vendit”, tha Sejko.
Nëse në qershor të vitit 2024 qarkulluan 3.953 milionë euro, në të njëjtën periudhë të këtij viti kjo lëvizje e parasë në dorë ka ardhur në rritje, duke e çuar këtë shumë në 4.6 miliardë euro. Kjo lëvizje e lartë e parasë në dorë sjell kosto të mëdha për ekonominë, pasi rrit hapësirat për informalitet, duke e bërë thuajse të pamundur verifikimin se nga cilat rrugë vijnë këto para. Sipas Guvernatorit, përmes inovacionit dhe investimit në dije mund të ndërtojmë një ekonomi më konkurruese dhe më elastike.
“Përgatitja e brezave të rinj që kuptojnë ekonominë digjitale, financat moderne, rolin e të dhënave dhe sfidat e tranzicionit të gjelbër, është një investim me efekt shumëpalësh për ekonominë dhe shoqërinë”, u shpreh Guvernatori.
Guvernatori Sejko tha se, kur transformimi teknologjik zhvillohet me ritme të jashtëzakonshme, vendet kanë nevojë për strategji të reja zhvillimi, që ndërthurin dijen, inovacionin dhe teknologjinë me politikat publike dhe zhvillimin të kapitalit njerëzor./RTSH