Trepça e suspendon Valdete Shabanin veç pse foli publikisht për ndërrimet e vendit të punës

Katër herë ia ndërruan vendin e punës brenda një viti e gjysmë, pa e pyetur dhe pa i shikuar pengesat e saj fizike për të kryer punë.

Së fundi, e suspenduan.

Menaxhmenti i ndërmarrjes Trepça në krye me Kryeshefin Faton Ahmetin, ka larguar nga puna përkohësisht, Valdete Shabanin, me arsyetimin se “ka kryer shkelje të rëndë të detyrave të punës” të parapara në rregullore për përgjegjësi disiplinore dhe materiale të ndërmarrjes, njofton Klankosova.tv.

Sepse, sipas tyre, Valdetja ka “Keqpërdorur pozitën dhe ka tejkaluar autorizimet e dhëna” dhe ka “kërcënuar apo fyer kolegët apo persona të tjerë në objektet e punës”.

Në vendimin për suspendim të 24 nëntorit të këtij viti, menaxhmenti i Trepçës ka shkruar se Valdetja, në mars të këtij viti në një paraqitje publike në një televizion në Kosovë, “ka deklaruar në mënyrë fyese ndaj zyrtarëve të lartë të menaxhmentit të ndërmarrjes”, duke i quajtur “Këta janë si Millosheviqi”.

Ndërsa në muajin maj, po ashtu në një intervistë për një medie tjetër vendore, Valdetja ka përsëritur deklarata shpifëse dhe fyerëse, “duke përdorur gjuhë denigruese e pa fakte, me synim poshtërimin e figurës dhe personalitetit të Menaxhmentit të Trepçës si dhe me qëllim dëmtimin e reputacionit të tyre personal dhe profesional”.

Në këtë vendim suspendimi thuhet se Valdete Shabani ka bërë deklarata të pavërteta lidhur me kushtet e punës dhe gjendjen në njësinë biznesore duke pretenduar se është pranë shkatërrimit. Gjithashtu ka komentuar në platforma online të medieve lokale duke ofenduar menaxhmentin e ndërmarrjes Trepça.

Duke e mbyllur vendimin me arsyetimin se deklarimet publike, Valdetja i ka bërë pa autorizime, meqë punonjësit e ndërmarrjes nuk kanë të drejtë të komunikojnë me medie, duke shkelur Kodin e Etikës së ndërmarrjes.

Vendimin për Suspendim dhe të gjitha këto pretendime i ka ankimuar Valdete Shabani, përmes të autorizuarit ligjor që ka angazhuar në të gjitha proceset e deritanishme me ndërmarrjen.

Një ditë më parë, më 2 dhjetor, ajo ka dorëzuar një ankesë në Ndërmarrjen Trepça për “vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike” dhe “ zbatim të gabuar dhe jo të drejtë të të drejtës materiale”.

Në arsyetim të këtij vendimi, Valdetja, përmes avokatit, i është drejtuar Komisionit të Ankesave në Ndërmarrjen Trepca duke sqaruar se “Paraqitjet në medie të pretenduara nga punëdhënësi nuk korrespondojnë me të vërtetën faktike”.

“faktet e përmendura në këto intervista (jo sic pretendon punëdhënësi) janë faktike dhe këtë e vërteton vendimi i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, me të cilin është vërtetuar transferimi im nga një pozitë në tjetrën si dhe transferimi nga një njësi biznesore në tjetrën ka qenë i kundërligjshëm”.

Dhe pretendimet se në këtë intervistë, vazhdon Valdetja “kinse paskam thënë se ‘këta janë si Millosheviqi’, nuk qëndrojnë dhe absolutisht nuk janë të vërteta”. Duke shtuar se vendimi për suspendim nga menaxhmenti nuk përmban prova konkrete për vërtetimin e fakteve vendimtare siç pretendon Ndërmarrja Trepça.

Për më tepër në vendimin për suspendim, sipas Valdetes, ndërmarrja Trepça ka referencë të gabuar të rregulloreve të cituara për shkelje.

“nënparagrafi 1.5 nuk ka të bëj fare me pretendimet si në vendim. Nëse i bëhet dispozite interpretim eksntensiv dhe telelogjik, nënkuptojmë se kjo dispozitë sanksionon situatën kur punonjësi gatë kryerjes së detyrave zyrtare ose në lidhje me detyrën zyrtare, i njëjti me qëllim keqpërdor pozitën ose tejkalon autorizimet e dhëna”.

Pra, “ani pse pretendimet e punëdhënësit në kuptim të gjendjes faktike janë të pavërteta, edhe sikur të qëndronin këto pretendime, gjendja faktike nuk do ti përgjigjej kësaj dispozite”. Thuhet në arsyetim të ankesës së Valdete Shabanit kundër vendimit të ndërmarrjes Trepça për suspendim të saj nga vendi i punës në ndërmarrje.

Në këtë ankesë, kërkohet anulimi i vendimit të 24 nëntorit për suspendim dhe t’i kompenzohet në mënyrë retroaktive diferenca e pagës nga data e suspendimit deri në kohën kur rikthehet në punë.

Çka ndodhi me Valdete Shabanin?

Valdete Shabani punon në “Trepçë” që 11 vjet, dhe prej vitit 2015 ka ushtruar detyrën e Shefes së Shërbimit Logjistik dhe Administrativ në Flotacionin e Stantërgut.

Por situata ndryshoi në gusht të vitit 2024, kur Faton Ahmeti mori detyrën e Kryeshefit të Ndërmarrjes. Vetëm në javët e para të mandatit, ai ndryshoi vendet e punës për rreth 60 punëtorë, duke thënë se “ndryshimet do të rrisin prodhimin”. Brenda një viti e tre muaj, numri i transferimeve ka kaluar shifrën 100.

Në grupin e parë të këtyre ndryshimeve ishte edhe Valdete Shabani. Më 3 shtator 2024, ajo u transferua nga Stantërgu në Metalurgjinë e Zinkut, në një pozitë që nuk kishte ekzistuar më parë – Zyrtare e Logjistikës.

Ajo e ankimoi menjëherë vendimin, duke theksuar edhe arsyet shëndetësore. Më 17 shtator Komisioni i Ankesave e refuzoi kërkesën si të “pabazuar”.

Pas intervenimit kirurgjik në Gjermani, ajo kategorizohet si person me nevoja të veçanta dhe nga ajo kohë është edhe pjesë e Hendikosit në qytetin e Mitrovicës Jugore.

Një muaj nga transferi i parë, Valdetes i vjen vendimi për transferin e dytë.

Me arsyetimin e nevojës për ristrukturim dhe organizim të punëtorëve të Ndërmarrjes Trepça, më 14 tetor, Kryeshefi Ahmeti merr vendim për transfer të Valdete Shabanit në Njesinë Biznesore Miniera me Flotacion në Kishnicë dhe Artanë, si Udhëheqës e Depos Doracake.

Edhe këtë vendim, Valdetja e ankimoi në Komisionin e Ankesave por përgjigja ishte e njëjtë si herën e parë. Refuzohet si e pa bazë.

Të dy vendimet e menaxhmentit për transferet e saj, Valdetja i ka dërguar në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, përmes një padie.

Kjo gjykatë, në aktgjykimin e datës 13 janar të këtij viti, kishte vendosur që ta aprovojë në tërësi padinë e Valdete Shabanit e cila ka kërkuar që të anulohen dy vendimet e Trepçës për ta transferuar në vende të tjera të punës dhe ta rikthejnë në vendin e punës të cilin e zotëronte para këtyre vendimeve. Gjykata ka kërkuar që këto vendime të anulohen dhe ka obliguar Ndërmarrjen Trepça që Valdeten ta rikthej në vendin e punës si Shefe e Shërbimit logjistik dhe administrativ, 7 ditë pas pranimit të këtij aktgjykimi, nën kërcënimin e përmbarimit të obligueshëm.

Por ndërmarrja e ankimoi vendimin, dhe rasti prej 9 muajsh është në Gjykatën e Apelit, ende pa vendim përfundimtar.

Në ndërkohë, pavarësisht procesit gjyqësor në vazhdim, menaxhmenti ka marrë sërish vendim për transferimin e saj në të njëjtin vend që më herët gjykata e kishte kontestuar.

Përveç sfidave ligjore, në mars 2025, Valdete Shabani pësoi një lëndim në vendin e punës në Kishnicë, kur një bulon i madh i ra në këmbën e djathtë.

Edhe për këtë ngjarje, ajo ka njoftuar organet përkatëse dhe e ka përfshirë rastin në ankesat e saj ndaj ndërmarrjes.